Ministrja Nagavci përshëndet kthimin në shkollë të nxënësit Gj.T.

Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, së bashku me nënkryetarin e Komunës së Graçanicës, Leutrim Ajeti, vizituan sot familjen e nxënësit Gj.T., pas raportimeve për mohimin e së drejtës së shkollimit.

Gjatë vizitës, Ministrja Nagavci dhe përfaqësuesit komunalë biseduan me nënën e nxënësit, Ana Trajkoviq, e cila tha se fëmija ishte trajtuar në mënyrë të papërshtatshme nga shkolla për shkak se familjes së tij i ishte ndërtuar shtëpi nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Ajo bëri të ditur se djali gjatë vitit të kaluar ishte përballur edhe me trajtim të papranueshëm nga drejtori dhe stafi i shkollës, si dhe me refuzim nga bashkëmoshatarët për t’u shoqëruar me të. Pas raportimit të rastit, Trajkoviq njoftoi se fëmija sot është rikthyer në procesin mësimor.

Ministrja Nagavci mirëpriti rikthimin e nxënësit në shkollë dhe kërkoi nga drejtoria e shkollës të sigurojë përfshirjen e plotë të tij në mësim dhe në të gjitha aktivitetet shkollore, në përputhje me standardet e arsimit gjithëpërfshirës dhe me obligimet që rrjedhin nga legjislacioni i Kosovës dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve.

Ministrja Nagavci theksoi se është thellësisht shqetësuese çdo përpjekje që, për arsye politike, të vështirësojë apo pamundësojë ushtrimin e të drejtës së fëmijëve për arsimim, e drejtë kjo e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Arsimin Parauniversitar dhe Konventën për të Drejtat e Fëmijës.

Sipas informatave të marra nga prindi, fëmija aktualisht është lejuar të ndjekë mësimin, por gjatë gjithë vitit të kaluar ka hasur pengesa dhe shqetësime në procesin mësimor.

Ajo njoftoi se, për këtë arsye, inspektorët e arsimit kanë zhvilluar sot një vizitë në shkollë, me qëllim të vlerësimit të situatës në aspektin institucional dhe marrjes së versionit të shkollës për rastin.

Ministrja Nagavci ritheksoi se Ministria e Arsimit mbetet plotësisht e përkushtuar që çdo fëmijë, pa dallim etnie apo prejardhjeje, të ketë qasje të barabartë dhe të sigurt në arsim, të mbrohet nga çdo formë diskriminimi dhe t’i garantohet një ambient i shëndetshëm, përfshirës dhe dinjitoz.

Ajo u bëri thirrje autoriteteve lokale që të ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm për të garantuar që raste të tilla të mos përsëriten dhe që çdo fëmijë në Republikën e Kosovës të trajtohet me drejtësi dhe paanshmëri.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors