Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë sot në Forumin për Imunizimin, të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ku theksoi rëndësinë e vaksinimit dhe kujdesit shëndetësor si themeli i mirëqenies dhe suksesit të fëmijëve në arsim.
Ministrja Nagavci në fjalën e saj, vlerësoi vaksinimin si një ndër arritjet kryesore të shkencës moderne, që ka mundësuar parandalimin e sëmundjeve të rënda dhe ka mbrojtur jetën e mijëra fëmijëve.
Nagavci nënvizoi rolin e shkollave në mbrojtjen e shëndetit publik dhe rëndësinë e administrimit të disa vaksinave në ambientet shkollore, duke theksuar se kjo lehtëson qasjen e fëmijëve në shërbimet shëndetësore dhe u ofron prindërve informim të qartë e të sigurt.
Ministrja theksoi se MAShTI do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet shëndetësore, për të siguruar informim të qasshëm për çdo familje dhe për të krijuar kushte që çdo nxënës të ketë qasje të barabartë në shërbime cilësore.
Në përmbyllje, ajo rikujtoi se mbrojtja e shëndetit të fëmijëve është përgjegjësi e përbashkët dhe falënderoi pjesëmarrësit për angazhimin e tyre të përditshëm në shërbim të fëmijëve, familjeve dhe komunitetit.