Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë në punëtorinë “Përmbyllja dhe Certifikimi i Programit për Trajnerë të Trajnerëve dhe Mësimdhënës të Praktikës Profesionale mbi Zbatimin e Arsimit Dual në Kosovë”, e organizuar nga MASHTI në bashkëpunim me GIZ.
Në këtë aktivitet u certifikuan 32 trajnerë nga shkollat e arsimit profesional, të cilët kanë përmbyllur me sukses fazën e fundit të trajnimit.
Në fjalën e saj, ministrja Nagavci vlerësoi angazhimin dhe kontributin e trajnerëve gjatë gjithë procesit, duke theksuar se certifikimi i tyre përbën një përgjegjësi të rëndësishme për bartjen e përvojave dhe praktikave të mira te mësimdhënësit e tjerë dhe për avancimin e zbatimit të Arsimit Dual në Kosovë.
Ministrja theksoi më tej se ndërlidhja e arsimit profesional me tregun e punës mbetet një nga prioritetet kryesore të MAShTI-t.
Programi i Arsimit Dual zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me sektorin privat, me mbi 800 biznese të përfshira në të gjithë Kosovën, duke u mundësuar nxënësve zhvillimin e aftësive profesionale në kushte reale të punës.
Ky program realizohet me mbështetjen e GIZ-it dhe bazuar në praktikat e vendeve gjermanofolëse.
MAShTI mbetet e përkushtuar që, në bashkëpunim me shkollat, komunat dhe partnerët, të vazhdojë zgjerimin dhe forcimin e arsimit dual edhe me profile të tjera, në dobi të nxënësve, bizneseve dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.