Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë sot në Simpoziumin “Sporti për të gjithë: Kushtet dhe mundësitë e gjithëpërfshirjes në shkolla”, organizuar nga Instituti Pedagogjik i Kosovës në bashkëpunim me Save the Children Kosova.
Ministrja theksoi rëndësinë e Programit “Sporti në shkolla”, të lansuar në fillim të vitit 2024, i cili synon të fuqizojë fëmijët përmes ndërlidhjes së arsimit me sportin dhe shëndetin.
Programi ka kaluar fazën pilotuese në 49 shkolla në 23 komuna të Kosovës dhe përfshin aktivitetet e rregullta fizike, garat sportive, ngritjen e kapaciteteve të mësimdhënësve, furnizimin me pajisje sportive dhe përmirësimin e infrastrukturës shkollore.
Ky Simpozium, mblodhi së bashku përfaqësues institucionalë, universitarë, ekspertë të fushës së arsimit, edukimit fizik dhe sportit, si dhe praktikues nga komuna e shkollat e Kosovës.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i sfidave dhe mundësive për krijimin e mjediseve shkollore gjithëpërfshirëse, që u mundësojnë të gjithë fëmijëve, pa dallim, të marrin pjesë në aktivitetet e edukimit fizik dhe sportit.
Në përfundim të simpoziumit, u prezantua një përmbledhje me rekomandime për përmirësimin e kushteve dhe rritjen e përfshirjes së fëmijëve me nevoja të veçanta në sportin shkollor në Kosovë.
