Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, priti një delegacion nga Universiteti “James Madison” i Virgjinias (ShBA), të përberë nga zëvendëskryetarja e Universitetit, Dr.Heather J Coltman, drejtori i programeve ndërkombëtare, Chin Hong Wang (Felixs) dhe drejtorja e programit për bashkëpunim ndërkombëtar, Vesna Hart.
Në këtë takim u bisedua për mundësitë e vazhdimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit të Universitetit “James Madison” me universitetet në Kosovë, sidomos në fushën e mobilitetit të studentëve dhe profesorëve, ndërsa u bisedua edhe për nevojën e një studimi sa i përket vlerësimit të profesioneve dhe harmonizimin e tyre me tregun e punës.
Ministri Bytyqi, me këtë rast, ka falënderuar përfaqësuesit e këtij universiteti amerikan për bashkëpunimin e deritashëm dhe u shpreh i gatshëm që ky bashkëpunim të vazhdojë dhe të zgjerohet në të ardhmen.
Ndërsa, Ministri theksoi se mobilitetin e studentëve dhe profesorëve tanë e konsideron shumë të rëndësishëm dhe si një mundësi të mirë që të përfitojmë nga përvojat më të mira amerikane në arsimin e lartë.
Nga ana e saj, Dr.Heather J Ciotman, u shpreh se bashkëpunimi i deritashëm është në nivel të duhur dhe se Universiteti “James Madison “, mbetet i hapur për zgjerim të bashkëpunimit në të ardhmen. Ajo, gjithashtu tha se, ekziston një interesim i shtuar i studentëve dhe profesorëve amerikanë që të vijnë në Kosovë, me qëllim të këmbimit të përvojave.
Universiteti “James Madison”, ka rreth 70 programe në gjithë hapësirën ndërkombëtare të studimeve të larta.