Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me UNICEF-in, kq filluar procesin e trajnimit të trajnerëve për Kurrikulën e re për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme për fëmijët nga zero deri në gjashtë vjeç në Kosovë.
Ky proces shënon përfundimin e një kapitulli dyvjeçar, me punë dhe përkushtim nga shumë akterë për zhvillimin dhe pilotimin e Kurrikulës, i kurorëzuar me aprovimin e saj.
Njëkohësisht, ky është fillimi i një kapitulli të ri dhe të gjatë për zgjerimin e zbatimit të Kurrikulës, që fëmijët në edukimin e hershëm në nivel vendi të zhvillohen dhe mësojnë në një mjedis që mbështet lojën dhe eksplorimin e vazhdueshëm, si dhe një qasje edukative që bazohet në nevojat dhe interesat e fëmijëve, por që njeh po ashtu rolin dhe pjesëmarrjen aktive të prindërve në edukimin e tyre.
Trajnimi, i cili do të zgjasë pesë ditë, do të pasohet nga vlerësimi dhe përzgjedhja e trajnerëve të Kurrikulës, duke mundësuar nisjen e ndërtimit të kapaciteteve të edukatorëve në nivel të Kosovës për zbatimin cilësor të saj, dhe sigurimin e të drejtës së çdo fëmije për edukim cilësor dhe arritjen e potencialit të tij zhvillimor.
Kjo punë u mundësua me mbështetjen financiare të Embassy of the Grand-Duchy of Luxembourg in Pristina dhe në bashkëpunim me Qendra për Shërbime Humane dhe Zhvillim.