Lansohet udhëzuesi për mësimdhënësit dhe profesionistët e arsimit për parandalimin dhe identifikimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, organizoi ngjarjen e prezantimit të “Udhëzuesit për mësimdhënësit dhe profesionistët e arsimit për rolin e shkollës në parandalimin dhe identifikimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.”

Në këtë ngjarje morën pjesë Arbërie Nagavci, Ministre në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Mary Ann Hennessey, Shefe e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Fadile Dyla, Sekretare e MAShTI-t, Azize Sekiraqa Heta, kryesuese e Grupit Punues për hartimin e Doracakut, përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, drejtorë të Drejtorive të Arsimit dhe punonjës të institucioneve arsimore.

Ministrja Nagavci në fjalën e saj, theksoi rëndësinë e përfshirjes së shkollës dhe mësimdhënësve në parandalimin e dhunës, duke nënvizuar se arsimi ka rol thelbësor në ndërtimin e një kulture të respektit dhe barazisë gjinore.

“Dhuna, në cilëndo formë të saj, është një shkelje e rëndë e të drejtave dhe dinjitetit njerëzor. Ajo nuk ka vend në shkollë, në familje apo në shoqëri. Prandaj, për ta parandaluar, ne kemi nevojë për edukim të mirëfilltë, vetëdije dhe veprim të përbashkët”, tha ministrja.

Më pas, Luljeta Plakolli, konsulente vendore e Këshillit të Evropës, prezantoi përmbajtjen e udhëzuesit dhe qëllimin e tij për mbështetjen e mësimdhënësve në identifikimin e hershëm të rasteve të dhunës.

Ky udhëzues do të ndihmojë mësimdhënësit në identifikimin e hershëm të dhunës, promovimin e barazisë gjinore dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për mbrojtjen e fëmijëve.

MAShTI mbetet i përkushtuar të krijojë shkolla të sigurta, të barabarta dhe mbështetëse, duke fuqizuar rolin e arsimit në ndërtimin e një shoqërie pa dhunë.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors