Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, inauguruan sot çerdhen e re në fshatin Koretin të komunës së Kamenicës, së bashku me kryetarin, Kadri Rrahimaj.
Çerdhja e re është investim i MAShTI në vlerë prej 741,013.95 euro, me kapacitet për 120 fëmijë, ndërsa vetëm për pajisjen e saj janë investuar 52,000.00 euro.
Ky projekt ofron kushte bashkëkohore për edukimin dhe kujdesin e fëmijëve, duke përmirësuar ndjeshëm qasjen në arsimin e hershëm në këtë komunë.
Në fjalën e saj, ministrja Nagavci tha se ndjen gjithmonë kënaqësi të jetë pranë komunitetit arsimor të Kamenicës.
“Nëse duam të ndërtojmë një të ardhme më të mirë, duhet të fillojmë nga fëmijët e sotëm. Çdo gur i vendosur në një institucion edukimi është një gur themeli për një shoqëri më të drejtë, më të barabartë dhe më të zhvilluar. Edukimi është arma më e fuqishme që kemi për të ndryshuar botën dhe ne po e përdorim atë me përgjegjësi dhe përkushtim,” tha ministrja Nagavci.
Ndërsa, kryeministri Kurti theksoi se ky investim është dëshmi e përkushtimit të Qeverisë për zgjerimin e qasjes në edukimin e hershëm dhe për krijimin e kushteve sa më të mira për fëmijët dhe prindërit në të gjitha komunat e vendit.
Në inaugurim morën pjesë edhe stafi arsimor, prindërit dhe banorët e fshatit Koretin, të cilët mirëpritën këtë investim të rëndësishëm për komunitetin lokal.