MASHT

Nënshkruhet Memorandum për Autonominë Financiare të Shkollave

26 Nëntor, 2010

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Enver Hoxhaj, Ministri i Ekonomisë dhe Financave,z. Ahmet Shala, Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, z. Bajrush Xhemajli, në prani të udhëheqësve politik dhe përgjegjësve arsimor të 37 komunave, nënshkruan Memorandumin për “Autonominë Financiare të Shkollave”.

Me këtë dokument, komunat dhe institucionet arsimore, në të ardhmen, kanë kompetencë dhe përgjegjësi të qarta në funksion të menaxhimit autonom të buxhetit të shkollave, që do të ndikojë në ngritjen e cilësisë në arsim.
MASHT-ti, paraprakisht vitet e fundit, ka pilotuar këtë formulë menaxhuese në tri komuna: atë të Gjilanit, Kaçanikut dhe të Burimit. Ndërsa, vitin e kaluar në këtë “pilot -test” janë përfshirë edhe 10 komuna të tjera.

Me rastin e nënshkrimit të këtij dokumenti, Ministri Hoxhaj është shprehur se: “Sot po bëjmë një hap të rëndësishëm drejt përmbylljes së një faze të transformimit të sistemit tonë arsimor. Ka qenë një kërkesë e kamotshme e shkollave dhe komunave për decentralizim dhe delegim të buxhetit. 
Ne jemi të interesuar që shumë përgjegjësi dhe kompetenca të barten nga MASHT në komuna dhe shkolla, e që këto të fundit të gëzojnë një autonomi të gjerë. Gjatë vitit 2009, falë një pilotimi që ishte projekt i Bankës Botërore, kemi mbërri që shkollave pilotuese në Gjilan, Kaçanik dhe Burim, t’iu sigurojmë buxhet dhe që këto shkolla të kenë xhirollogarinë e tyre. Në vitin 2010 kemi pasur bartje të suksesshme financiare edhe në 10 komuna tjera” theksoi Ministri. Në vazhdim Hoxhaj tha se me këtë dokument që sot po e nënshkruajmë, sistemin tonë arsimorë do ta bëjmë shumë më efikas, më cilësor dhe gjithëpërfshirës. Në fund Ministri Hoxhaj ka falënderuar MEF-in dhe BB si financuese, për mbështetjen e këtij projekt pilotues në komunat e përmendura.

Ndërkaq, Ministri i Financave, z. Ahmet Shala, tha se ky dokument realizohet mbi bazën e disiplinimit financiar, në vazhdën e reformimit të sistemit të arsimit e që është angazhim i veçantë i ministrit Hoxhaj.

Ndërkaq, z. Shala përmendi shkallët e rrezikut, siç tha ai të dy pikave të skajshme të centralizimit,përkatësisht decentralizimit të buxhetit por që me këtë dokument, udhëheqësit komunal dhe ata të shkollave do të kenë fleksibilitet por edhe një përgjegjësi më shumë. 
MEF, ka qenë në nivel të përgjegjësisë institucionale dhe ka ofruar një model i cili do të jetë i përshtatshëm për implementim. Besoj se vitet që do të vijnë do të jenë më të fokusuara në këtë drejtim” tha Ministri Shala.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Bajrush Xhemajli tha se: “Kjo formulë e re e financimit,e sprovuar 2 vite në disa komuna,e zbatuar vitin e kaluar edhe në komunën e Ferizajt,është treguar e suksesshme. Kam vërejtur se është rritur efikasiteti dhe përgjegjësia në shkolla, andaj inkurajoj të gjithë përfaqësuesit e komunave që ta përvetësojnë dhe të krijojnë shanse më të mira menaxhuese në interes të arsimit”.

Last modified: 26 Gusht, 2022