MASHT

Nënshkruhet Memorandum Mirëkuptimi – shkollat në dispozicion për zgjedhjet e 12 dhjetorit

5 Nëntor, 2010

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj dhe kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, kanë nënshkruar sot një memorandum të mirëkuptimit, sipas të cilit, të gjitha objektet e institucioneve arsimore do të jenë në dispozicion të qytetarëve dhe KQZ-së për mbajtjen e zgjedhjeve qendrore të 12 dhjetorit të këtij viti.

Pasi falënderoi zonjën Daka për punën e madhe që po bën në përgatitjen dhe organizimin e zgjedhjeve, ministri Hoxhaj tha se MASHT-i në përputhje me përgjegjësitë që ka dhe ligjet në fuqi, rreth 1200 shkolla të nivelit fillor dhe të mesëm, të cilat i ka Kosova dhe që janë të shpërndara në 2000 objekte shkollore dhe institucionet e arsimit të lartë, përkatësisht objektet e universiteteve në Prishtinë dhe Prizren, si dhe shumë salla sportive që janë pjesë e këtyre institucioneve arsimore, do të jenë në dispozicion të KQZ-së, në dispozicion të qytetarëve të Kosovës më 12 dhjetor.

“Kemi pasur dhe kemi një bashkëpunim shumë të mirë me KQZ-në dhe besoj që në përputhje me mandatin dhe përgjegjësitë tona do të bëjmë të gjitha përgatitjet e nevojshme, që me 12 dhjetor, kur do të mbahen zgjedhjet, shkollat të jenë hapësira në dispozicion të qytetarëve për votim dhe të jenë të gatshme si të tilla”, është shprehur ministri Hoxhaj.

Ndërsa, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka theksoi obligimet që dalin nga memorandumi për të dy palët për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve.

Last modified: 26 Gusht, 2022