Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami dhe kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), kanë nënshkruar sot Kontratën e re Kolektive të Arsimit në Kosovë.
Ministri Bajrami, me këtë rast tha se, kjo Kontratë përcakton një partneritet strategjik të MAShT me Sindikatën në të gjitha dimensionet në sektorin e arsimit dhe kjo vjen si rezultat i përpjekjeve të MAShT që të rregullojë pozitën e mësimdhënësve.
“Kjo Kontratë parasheh obligimet e shtetit të Kosovës, obligimet e të gjitha komunave të Kosovës që të kujdesen që mësimdhënsit të kenë një pozitë adekuate materiale, që ata të stimulohen për të ngritur cilësinë, sepse rruga për ta ngritur cilësinë në arsim shkon përmes mësimdhënësve të përgatitur”, tha Ministri, ndërsa foli edhe për bazën ligjore që po përgatitet dhe po vazhdon të përmirësohet në të mirë të ngritjes së cilësisë në arsim, por edhe avancimin e pozitës së mësimdhënësve.
Ministri Bajrami, po ashtu theksoi se, me Kontratën e re është promovuar edhe një rol aktiv i Sindikatës në politikbërje. “Kontrata ofron një kornizë të gjerë të bashkëpunimit, jo vetëm në misionin klasik të Sindikatës që e ka çdo shtet, por edhe në një rol të ri përtej misionit, pra bëhet partner për stimulimin e mësimdhënësve, për ngritjen në karrierë, për zhvillim profesional dhe për vlerësim të performancës”, tha ministri Bajrami, ndërsa në këtë drejtim theksoi edhe faktin se Sindikata tash e tutje, ndër të tjera, do të monitorojë procesin e zgjedhjes së drejtorëve të shkollave, në mënyrë që të minimizohet ndikimi politik në këtë proces.
Ndërsa, kryetari i SBAShK-ut, z. Rrahman Jasharaj, theksoi se e veçanta e Kontratës së re në krahasim me kontratën e kaluar është se tani, përveç arsimit parauniversitar, e mbulon edhe arsimin universitar. “Ministri Bajrami dhe MAShT do të na ketë në krah në angazhimet për ngritjen e cilësisë, krahas angazhimeve për ngritjen e mirëqenies së arsimtarëve”, tha ai.
Kontrata e re Kolektive e arsimit në Kosovë përcakton të drejta të posaçme dhe obligimet e të punësuarve në institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar dhe atij universitar, të drejtat dhe obligimet e punëdhënësit, si dhe të drejtat dhe obligimet e palëve nënshkruese.
Last modified: 26 Gusht, 2022