Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumeve të mirëkuptimit me Këshillin Sektorial të Fuqisë Punëtore në fushën e TIK-ut, përpunimit të drurit dhe agrobiznesit, në kuadër të projektit pesë vjeçarë “Aktiviteti për Zhvillimin e Fuqisë Punëtore përmes Sektorit Privat”, i financuar nga USAID.
Ky projekt do të mbështesë sektorin privat për të artikuluar më mirë nevojat dhe për të hartuar, financuar dhe ofruar zgjidhje për fuqinë punëtore.
Ministrja Arbërie Nagavci me këtë rast theksoi të jetë e kënaqur me pjesëmarrjen në ceremoninë e lansimit të projektit të parë për zhvillimin e fuqisë punëtore përmes sektorit privat, i cili synon të mobilizojë këtë sektor përmes shoqatave sektoriale për të identifikuar dhe artikuluar nevojat për kualifikime, si dhe përshtatjen e tyre me nevojat e tregut të punës.
Ajo falënderoi USAID-in për inicimin e projektit të ri të bashkëpunimit të ngushtë me MAShTI-n, si dhe themelimin e Këshillave Sektoriale të cilët do të shërbejnë si platforma të diskutimit dhe artikulimit për nevojat e sektorit për kualifikime.
Nagavci foli edhe për vështirësitë e sektorëve në zhvillim e sipër dhe përballjen e tyre me mungesë të punëtorëve të kualifikuar, gjë e cila po i pengon ata që t’u përgjigjen kërkesave për eksportim të produkteve.
Ndër të tjera, Nagavci tha se Ministria e Arsimit është përgjegjëse për ofrimin e programeve të kualifikimit, ndërsa shtoi se nevojat për kualifikime më së miri mund t’i dijnë ndërmarrjet dhe bizneset.
Drejtoresha e USAID, Zeinah Sahali, u shpreh e kënaqur me përkushtimin e pjesëmarrësve për të punuar së bashku në harmonizimin e shkathtësive të të rinjve me nevojat e tregut të punës. Ajo thekoi se, sektori privat është fuqia transformuese e cila mund të ndihmojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Gjatë pesë viteve (2022-2027), Aktiviteti do të trajtojë kufizimet dhe mundësitë e sistemit për të fuqizuar tri aspekte: kërkesën, ofertën dhe përmirësimin e mjedisit për t’i zhvilluar shkathtësitë e nevojshme tek të rinjtë për tregun e punës.
Last modified: 18 Nëntor, 2022