Drejtues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit kanë mbajtur sot takimin e rregullt me Drejtoritë Komunale të Arsimit ku janë diskutuar çështje të rëndësishme, të cilat ndërlidhjen me cilësinë dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në këtë takim fillimisht ka folur për ndryshimet dhe plotësimet në infrastrukturën ligjore, ku ka bërë të ditur se katër ligje janë votuar në Qeveri, Ligji për Arsimin e Lartë dhe ai për Agjencinë e Akreditimit pritet që të votohen së shpejti, ndërsa Ligji për Maturën dhe Ligji për Inspektoratin janë në proces të rishikimit.
Në lidhje me rekrutimin e stafit arsimor, Nagavci ka thënë se Ministria e Arsimit dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë formuar grupet punuese. Ajo tha se stafi i institucioneve arsimore janë kategorizuar si shërbyes publik dhe punësimi i tyre përmes kësaj linje mund të kërkojë kohë më të gjatë deri në përfundimin e procedurave formale.
Theks i veçantë në këtë takim i është kushtuar edhe grantit specifik të arsimit parauniversitar, për çka ministrja i ka ftuar DKA-të që shpenzimi i mjeteve të bëhet sipas kategorisë së përcaktuar, pasi me këtë synohet që të arrihen rezultate në mbarëvajtje të punës së institucioneve arsimore dhe përformancë më të mirë të tyre.
Nagavci ka folur edhe për procesin e digjitalizimit të shkollave sipas Strategjisë për Arsim 2022/2026, ku më 15 mars 2023 ka përfunduar dërgimi i të dhënave për disa komuna dhe procesi pritet të vazhdojë deri në realizimin e kësaj komponente të rëndësishme.
Ndër të tjera, ministrja Nagavci në këtë takim ka shtruar edhe çështjen e trajtimit të shkollave me numër të vogël të nxënësve, zgjerimin e infrastrukturës fizike, rishikimin e teksteve shkollore, punësimin e specialistëve të IT në secilën komunë, rolin dhe rëndësinë e këshilltarëve për orientim në karrierë.
Ndërsa, shefi i Divizionit për Sigurimin e Cilësisë, Standarde, Vlerësim dhe Licencim, Fatmir Elezi ka folur për Testin e Arritshmërisë i cili pritet të mbahet më 4 dhe 11 korrik, testin ndërkombëtar TIMS që do të mbahet nga 15 deri më 30 maj me nxënësit e klasave të katërta, në 200 shkolla të vendit, si dhe testin ICILS që pritet të organizohet nga 1 deri më 15 qershor me nxënësit e klasave të teta në 154 shkolla.
Last modified: 4 Prill, 2023