MASHT

Në Suhodoll të Mitrovicës është përuruar objekti i ri shkollor

17 Shtator, 2010

Banorët e fshatit Suhodoll ju gëzuan ndërtimit të shkollës së re e cila është e para në këtë lokalitet. Deri më tani nxënësit e kësaj ane kanë vijuar mësimet në shkollën fillore “Migjeni” dhe në disa shkolla të afërta në lagjet qytetit të Mitrovicës.

“Urime shkolla e re. Kjo është një dëshmi e fuqishme se Qeveria e Kosovës do ta shtrijë influencën dhe autoritetin e saj në gjithë territorin e Kosovës, në çdo cep të saj” ka thënë ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj me rastin e përurimit të shkollës fillore në Suhodoll të Mitrovicës.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi dhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, 
përuruan shkollën fillore në fshatin Suhodoll .

Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, me këtë rast, uroj nxënësit, mësimdhënësit, prindërit dhe gjithë komunitetin, ndërsa për rëndësinë që ka kjo shkollë, ai theksoi tri arsye.

Arsyeja e parë, tha ministri, është që kësaj pjese të Republikës së Kosovës, ja shton edhe më shumë kuptimin e jetës, ndërsa si arsye të dytë ai përmendi faktin se me ndërtimin e kësaj shkolle, kësaj pjesë të Republikës së Kosovës i mundësohet të bëhet pjesë mendore e betejës mendore për të nxënë sa më shumë dije, njohuri dhe shkathtësi për një shoqëri të shekullit 21.

Së treti, kjo shkollë e re, edhe në këtë pjesë të Republikës së Kosovës, na mundëson që ta jetojmë një ideal modern dhe ky është se në çfarë forme ta shndërrojmë Republikën e Kosovës shtet të dijes, në çfarë forme ta reformojmë sistemin tonë arsimor.

Ministri Hoxhaj, theksoi faktin se edhe këtë vit, nxënësit e shkollës në Suhodoll, sikurse edhe 350 mijë nxënës tjerë në Kosovë kanë marrë tekstet shkollore falas. “Qëllimi ynë është që ta parandalojmë braktisjen e shkollës nga nxënësit, që çdo nxënës ta ndjejë veten të barabartë në Republikën e Kosovës dhe çdo nxënës ta ketë mbështetjen e njëjtë dhe të barabartë të shtetit”, tha ministri Hoxhaj.

Ministri i Arsimit përmendi edhe risitë që do ta përcjellin këtë vit shkollor, duke theksuar këtu reformat e kurrikulumit, respektivisht hartimi i Kornizës së re të Kurrikulumit të Kosovës. “Gjatë këtij viti, ne kemi ndërmend ta fillojmë edhe hartimin e programeve mësimore dhe në vitin 2011 edhe në këtë shkollë të re do të ketë programe të reja mësimore nga klasa e parë që do të jenë ndër reformat më të rëndësishme që janë ndjekur në sistemin tonë arsimor në këto 20 vitet e fundit”.

“Urime shkolla e re. Kjo është një dëshmi e fuqishme se Qeveria e Kosovës do ta shtrijë influencën dhe autoritetin e saj në gjithë territorin e Kosovës, në do cep të saj”.

Drejtori shkollës, Flamur Gacaferri, ka falënderuar Ministrinë e Arsimit për ndërtimin e shkollës së re, e cila do të plotësojë kushtet për mësim cilësor ndërsa nxënësit do ta kenë më të afërt vatrën e diturisë.
Ndërkaq Ali Bejta, drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Mitrovicë është shprehur se Qeveria e Kosovës me investimet që po i bën në arsim po dëshmon përcaktimin e saj që arsimi të jetë prioritet.

Deri më tani nxënësit e kësaj ane kanë vijuar mësimet në shkollën fillore “Migjeni” dhe në disa shkolla të afërta në lagjet e Mitrovicës.

Objekti shkollor ka 5 dhoma mësimi në të cilën do të vijojnë mësimin më shumë se 100 nxënës të këtij fshati dhe të rrethinës, ndërsa është paralele e ndarë e shkollës fillore “Aziz Sylejmani” në Mitrovicë.
Për ndërtimin e kësaj shkolle, MASHT, ka investuar 197,026.19 €

Shkolla ka: 5 dhoma të mësimit;1 bibliotekë dhe sallën e arsimtarëve.
MASHT, gjithashtu ka pajisur shkollën me inventarin e nevojshëm shkollor.

Në procedurë të prokurimit është edhe ndërtimi i murit mbrojtës përreth lumit që kalon afër shkollës.

Last modified: 26 Gusht, 2022