Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ajo e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në kuadër të aktiviteteve me të cilat po shënohet fushata “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në familje” kanë qëndruar në Gjakovë, ku kanë bashkëbiseduar me nxënës të shkollës “Yll Morina” në Gjakovë dhe nxënës të shkollës “Hamëz Cena” në fshatin Demjan.
Me këtë rast, ministrja Nagavci theksoi se dhuna e çfarëdo lloji është e papranueshme dhe ajo duhet të raportohet.
Ajo tha se shkolla është vendi më i mirë ku mund të punohet në edukim dhe parandalim të dhunës.
Ministrja Nagavci porositi nxënësit që të raportojnë dhunën te mësimdhënësit dhe prindërit e tyre. Nagavci theksoi se, të gjithë bashkë duhet të kujdesemi që të respektohen të drejtat e secilit dhe të parandalohet dhuna, veçanërisht ajo ndaj grave dhe vajzave.
Ndër të tjera, ministrja Nagavci ka folur edhe për veprimet që merr në vazhdimësi MAShTI, përfshirë fushata vetëdijësuese për parandalimin dhe eliminimin e dhunës në baza gjinore.
Ndërsa, ministrja Albulena Haxhiu tha se raportimi i dhunës është obligim i secilit, sepse vetëm duke bashkëpunuar do të mund të minimizojmë dhunën dhe të ndërgjegjësojmë shoqërinë.
Ministret Nagavci dhe Haxhiu, gjatë ditës u takuan edhe me stafin e organizatës Medika Gjakova, ku biseduan për dhunën në baza gjinore dhe bashkëpunimin për parandalimin e saj.
Last modified: 8 Dhjetor, 2022