Zëvëndësministrja e arsimit, Edona Maloku-Bërdyna në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit ka zhvilluar një vizitë në shkollën e Muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë ku është pritur në një atmosferë të ngrohtë nga drejtoresha Valbona Prekazi, kolektivi si dhe nxënësit e kësaj shkolle.
Zëvendësministrja Maloku Bërdyna u njoftua për të arriturat e shkollës ndër vite duke numëruar një varg suksesesh ndërkombëtare që shkolla kishte arritur në fushën e muzikës.
Në linjë me temën e këtij viti “investimi në njerëz dhe bërja e arsimit prioritet”, zëvendësministrja i njoftoi kolektivin e shkollës për rritjen e buxhetit të arsimit për 12% këtë vit dhe foli për fushat e prioriteteve në përmirësimin e cilësisë, gjithëpërfshirjes e barazisë në arsim.
Ajo vuri në pah edhe bashkëpunimin me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që këtë vit do të sjellë investime substanciale për përmirësimin e artit dhe sportit në shkolla në nivel nacional.
Përndryshe, shkolla e muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë dëshmoi se është shembull i mirë i gjithëpërfshirjes dhe barazisë. Përveç përfshirjes së fëmijëve me nevoja të veçanta, kjo shkollë është udhëhequr kryesisht nga gratë përgjatë gati 70 viteve të ekzistencës së vet.
Dita Ndërkombëtare e Arsimit është ditë që promovon të drejtën për arsim si të drejtë themelore dhe e mirë publike që ndihmon zhvillimin shoqëror.
Last modified: 25 Janar, 2023