Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Autizmit, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka marrë pjesë në aktivitetin e parë në muajin e vetëdijësimit për autizimin për vitin 2024, i cili është mbajtur në Shkollën “Gjergj Fishta” në Prishtinë. Qëllimi i këtij aktiviteti është që përmes riciklimit nga mbledhja e kapakëve, të mblidhen fonde që mbështesin programin e Asociacionit Nacional të Autizmit në Kosovë për rastet sociale me autizëm.
Ministrja Nagavci gjatë bashkëbisedimit me nxënësit e shkollës tha se, jemi bashkë në fillimin e një muaji me aktivitete tejet të rëndësishme sa i përket mbështetjes së fëmijëve të prekur nga autizmi dhe gjithashu realizimit të një aktiviteti i cili ka qëllim ruajtjen e mjedisit, një çështje ambientale po ashtu shumë me rëndësi.
Ministrja Nagavci përgëzoi Këshillin e Nxënësve të shkollës për mbështetjen e këtij aktiviteti të ANAK dhe Koorporatës Rugove, ndërsa foli edhe për rëndësinë e ngritjes së vetëdijes së përgjithshme shoqërore në mbështetjen e fëmijëve me autizëm.
Përfaqësuesja e ANAK, Gresa Selmani e falënderoi ministren Nagavci dhe MASHTI për bashkëpunimin në realizimin e aktiviteteve, të cilat parashihet të organizohen me rastin e Ditës Botërore të Autizmit.
Në këtë aktivitet të udhëhequr nga Këshilli i Nxënësve morën pjesë edhe përfaqësues të Asociacionit Nacional të Autizmit në Kosovë (ANAK), Koorporata Rugova, nxënës dhe mësimdhënës të shkollës.
Last modified: 3 Prill, 2024