14 Dhjetor 2021
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka kërkuar që sa më shpejtë që është e mundur të shqyrtohet Projektligji për Ratifikimin e Memorandumit të Mirëkuptimit në mes të Ministrisë së Arsimit dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë për Programin e shkëmbimit akademik Fulbright.
Ministrja Nagavci gjatë raportimit para anëtarëve të Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës ka folur për rëndësinë e Marrëveshjes, bashkëpunimin e shkëlqyer të Ministrisë me Ambasadën Amerikane në implementimin e Memorandumit egzistues, si dhe memorandumin e ri për periudhën 2021-2025, e cila parasheh ngritjen e kapaciteteve hulumtuese dhe ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë në Kosovë.
Përmes këtij programi, studentëve, hulumtuesve të rinjë dhe stafit akademik të Institucioneve të Arsimit të lartë në Kosovë u mundësohet shkëmbimi në Universitetet Amerikane përmes pesë skemave, me kohëzgjatje dhe përkrahje financiare të ndryshme.
Skemat në kuadër të programit Fulbright përfshijnë: ofrimin e bursave për studentët nga Kosova të nivelit Master për në Shtetet e Bashkuara, ofrimin e bursave për studiues (profesor të IAL, postdok), ofrimin e ekspertëve nga ShBA-të për në Kosovë në një fushë e caktuar, mbështetjen e stafit të ri akademik për të zhvilluar kurrikula, si dhe ofrimin e eksperiencave të studiuesve dhe hulumtuesve amerikanë për Institucionet në Kosovë.
Ministrja Nagavci ka thënë se, realizimi i Memorandumit të ri të Mirëkuptimit në mes të palëve, bën të mundur që bashkëpunimi akademik të zgjerohet, duke shtuar ndjeshëm numrin e përfituesve dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së arsimit të lartë në Kosovë.
Nagavci po ashtu bëri të ditur se, MAShTI me këtë Memorandum ka duplifikuar fondet për mbështetjen e Programit. Pra, MAShTI do të financoj Programin në vlerën prej 600 mijë euro për vit.
Përveç rritjes së fondeve, ka shtuar ministrja Nagavci, me anë të kësaj Marrëveshje është zyrtarizuar edhe themelimi i Bordit për Shkëmbim Akademik ShBA-Kosovë, ku Kosova është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që e ka ngritur nivelin e bashkëpunimit në këtë shkallë.
Bordi ka rol këshilldhënës, funksionon në baza vullnetare dhe përbëhet nga një përfaqësues nga MAShTI dhe një përfaqësues nga Ambasada Amerikane, të cilët janë anëtarë ex-officio, një nga shoqëria cilive, një nga alumni e SHBA në Kosovë -KUSA dhe një përfaqësues nga akademia (universitetet).
MAShTI gjithashtu do të nënshkruaj protokolin e bashkëpunimit me Ambasadën Amerikane për tu dakorduar rreth skemave mbështetëse. Gjithashtu MASHTI do të realizoj marrëveshjet me partnerët implemetues, ku për impelemtimin e memorandumit të kaluar kishte marrëveshje të nënshkruar me Institute of International Education si dhe me World Learning.
Ndryshe, Republika e Kosovës është duke përfituar nga programi Fulbright që nga viti 2012, fillimisht me marrëveshjen e arritur ndërmjet Ambasadës Amerikane dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovë, pasuar me Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet MASHTI dhe Ambasadës Amerikane për periudhen 2016-2020.
Last modified: 6 Qershor, 2022