MASHT

MINISTRJA NAGAVCI ZHVILLOI VIZITË ZYRTARE NË MAQEDONINË E VERIUT

8 Tetor, 2021

08 Tetor 2021

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, bashkë me një delegacion nga MAShTI, kanë zhvilluar vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut ku janë pritur nga ministrja e Arsimit dhe Shkencës e Maqedonisë së Veriut, Mila Carovska dhe zëvendësministri Arafat Shabani.

Në këtë takim, është biseduar për bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe shkencës në mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut. 

Po ashtu, u diskutua për sfidat e zhvillimit të procesit mësimor në kushtet e pandemisë dhe digjitalizimin. 

Që të dyja palët u pajtuan për intensifikimin e përpjekjeve në arritjen e aspiratave të përbashkëta në fushën e arsimit si dhe për finalizimin e një marrëveshjeje dypalëshe në mes dy shteteve fqinje me qëllim të mbështetjes reciproke dhe mundësive arsimore e shkencore për qytetarët e dy vendeve. 

Ministrja Nagavci ka adresuar shqetësimet edhe në lidhje me vonesat në shkëmbimin e informatave për validitetin e diplomave si dhe tarifat që paguajnë studentët tanë në Maqedoninë e Veriut. 
Gjithashtu, e ka njoftuar ministren Carovska se MAShTI është duke punuar në Planin strategjik të arsimit për vitin 2022-2026 dhe se një pjesë të rëndësishme të planit e zë Strategjia për digjitalizimin e arsimit në Kosovë. 

Ministrja Carovska theksoi se Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë fqinjë që tregojnë interes në mbështetjen reciproke dhe mundësive arsimore e shkencore për qytetarët.

Ndërkaq, zëvendësministri Arafat Shabani tha se, të dy vendet pajtohen që arsimi, shkenca dhe inovacioni janë mjete të forta që mund t’i çojnë vendet përpara ndërkombëtarisht dhe për këtë arsye çdo shkëmbim i ideve, përvojave dhe arritjeve të reja është i mirëpritur. 

Gjatë kësaj vizite, ministrja Nagavci ka takuar edhe studentë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, me të cilët ka biseduar për disa çështje me të cilat po ballafaqohen studentët atje. Ndër të tjera, ata kanë ngritur shqetësim rreth tarifave të larta për studime si dhe nostrifikimin e diplomave.

Last modified: 7 Qershor, 2022