Kontributi që mund të jap shoqëria civile në ngritjen e cilësisë në arsim, një veçanti për zhvillimin e një sistemi gjithëpërfshirës të vlerësimit të performancës së stafit akademik ka qenë temë diskutimi në një takim që ka zhvilluar ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci me përfaqësues të OJQ “Optima”, e cila merret me krijimin e mundësive zhvillimore për studentët e Kosovës.
Në takim është diskutuar rreth ecurisë së projektit “Zhvillimi i një sistemi gjithëpërfshirës të vlerësimit të performancës së stafit akademik për sistemin universitar të arsimit të lartë publik në Kosovë”.
Ministrja Nagavci ka theksuar rolin e shoqërisë civile në të gjitha fushat e jetës, ndërsa ka përmendur edhe aktivitetet e shumta që janë bërë nga OJQ-të, e që kanë ndikuar në përmirësimin e gjendjes në arsim.
Pasi që foli për planin qeverisës për arsimin, ministrja Nagavci tha se është e hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që mund të kontribuojnë në realizimin e këtij plani, që synon zhvillimin e arsimit në të gjitha nivelet.
Këshilltarja për arsimin e lartë e Projektit, Sharon Hart foli rreth zbatimit të sistemit të vlerësimit të performancës i cili pritet të përfundojë në tetor të këtij viti. Ajo tha se sistemi i vlerësimit i ka 8 hapa që duhet zbatuar deri në përfundim të tij.
Ky projekt, i cili përkrahet nga Ambasada Amerikane është duke u zbatuar në shtatë universitete publike të Kosovës.
Last modified: 7 Qershor, 2022