MASHT

MINISTRJA NAGAVCI VIZITOI SHKOLLËN “QAMIL BATALLI” NË PRISHTINË

2 Shtator, 2022

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka vizituar shkollën “Qamil Batalli”, në Prishtinë me ç’rast ka bashkëbiseduar me mësimdhënësit dhe është njoftuar nga afër me kërkesat e tyre dhe grevën në këtë shkollë.

Mësimdhënësit u shprehën se nuk ndihen mirë që janë në grevë, por shumë nga ta e përmendën edhe faktin se ky është një vendim i Sindikatës dhe po e respektojnë.

Ata kërkuan nga ministrja Nagavci që të bashkëpunojë me SBAShK-un. Me këtë rast, ministrja tha se si Ministri vazhdimisht jemi takuar dhe kemi bashkëpunuar me Sindikatën për çështje dhe kërkesa të ndryshme.

Po ashtu, theksoi se çështjet të cilat i kanë adresuar SBAShK-u tashmë janë zgjidhur dhe madje edhe tejkaluar në Projektligjin për paga.

Ministrja u shpreh se dinjiteti i mësimdhënësit duhet të rregullohet me ligj dhe pagë të dinjitetshme, ndërsa theksoi se këtë e kemi adresuar në Projektligjin për paga.

Ajo theksoi se në Projektligjin e ri është përmirësuar pozicionimi i punëtorëve të cilët ishin diskriminuar në Ligjin e kaluar.

Ministrja Nagavci tha se e drejta për grevë dhe mosgrevë është individuale dhe e respekton, derisa shtoi se proceset e tilla nuk duhet t’i dëmtojnë fëmijët të cilët kanë nevojë për arsim cilësor.

Last modified: 2 Shtator, 2022