MASHT

MINISTRJA NAGAVCI VIZITOI KOPSHTIN “SHKRONJAT” PËR TË PARË PILOTIMIN E KURRIKULËS SË RE PËR EDUKIMIN NË FËMIJËRINË E HERSHME

20 Qershor, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe zëvendësshefi i UNICEF-it në Kosovë, Benjamin Fischer, vizituan kopshtin “Shkronjat” në Prishtinë, ku është duke u pilotuar Kurrikula për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme e bazuar në kompetencë, e cila ndryshe nga ajo tematike/disiplinore, bazohet në të kuptuarit dhe inkurajon fëmijën të njoh dhe t’i kuptojë më thellë njohuritë.

Ministrja Nagavci me këtë rast tha se, në një ngjarje si kjo, ku shënohen rezultatet e angazhimit të një pune të përbashkët, ska se si të mos ndjehemi mirë.

Nagavci tha se, pas miratimit të Ligjit për EFH, një nga arritjet me të cilën duhet të ndjehen krenarë të gjithë ata të cilët kanë punuar bashkë, tani jemi në një proces tjetër të rëndësishëm, ku pas miratimit të Kurrikulës së re ka filluar pilotimi i saj, duke ofruar trajnime dhe mundësi për zhvillim profesional të edukatorëve dhe akterëve tjerë të përfshirë në këtë proces.

Ministrja Nagavci tha se vlerëson kontributin e gjithë atyre të cilët kanë punuar në këtë dokument dhe në pilotimin e tij dhe i falënderoi zyrtarët e MAShTI, përfaqësuesit e kopshteve, UNICEF-it, DKA-ve, prindërit dhe organizatat e shoqërisë civile për punën e shkëlqyeshme që kanë bërë, e cila ka reflektuar jo vetëm me një Ligj i cili është bashkëkohor dhe adreson qasje të reja në edukimin në fëmijërinë e hershme, por edhe me një Kurrikulë e cila do të mundësojë që fëmijët tanë të rriten në një ambient të shëndetshëm, të mbarë dhe të ushqyer me dije.

Zëvendësshefi i UNICEF-it në Kosovë, Benjamin Fischer tha se, është kënaqësi e madhe të shënohet bashkëpunimi me Ministrinë e Arsimit, i cili ka rezultuar me hartimin e një dokumenti transfomues në fushën e edukimit në fëmijërinë e hershme.

Ai tha se vitet e para të jetës përbëjnë një periudhë të ndjeshmërisë së jashtëzakonshme për zhvillimin e fëmijëve, përfshirë atë mjedisor dhe social, andaj edhe edukimi cilësor në këtë periudhë të jetës është tejet i rëndësishëm dhe qenësor.

Last modified: 20 Qershor, 2024

Comments are closed.