Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci së bashku me zëvendësministrin, Taulant Kelmendi vizituan ekspozitën “Reporting House”, që është hapur në ish-shtëpinë e mallrave “Gërmia” në Prishtinë, projekt ky që ofron një pasqyrim të hollësishëm të luftës evropiane që përmbylli shekullin e 20-të.
Qëllimi i kësaj ekspozite është të tregojë ndikimin e mediave ndërkombëtare në ngritjen e vëmendjes për të ndikuar në bombardimet e NATO-s dhe çlirimin e Kosovës.
Ekspozita e prezantuar nga BIRN Kosova, Kallxo.com, Prishtina Biennale dhe Paper Gallery, prezantojnë punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefaktet e punonjësve të mediave, punë këto që vendosen krahas veprave të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës në dekadat që pasuan.
Ministrja Nagavci shprehu gatishmërinë që studentëve të angazhuar në mbarëvajtjen e kësaj ekspozite që nuk janë nga Prishtina t’u sigurohet qëndrim tre mujor në konvikte.
Drejtoresha e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN Kosova), Jeta Xharra tha se, ekspozita e cila do të jetë e hapur deri në shtator do të përmbajë mbi 20 orë materiale nga media të huaja, si ato angleze, gjermane, japoneze e irlandeze.
Last modified: 20 Qershor, 2024