Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2024/2025, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka vizituar shkollën “Iliria” dhe shkollën “Elena Gjika” në Prishtinë, me ç’rast të gjithë nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve u ka uruar vit të mbarë, të suksesshëm dhe me arritje të shkëlqyeshme.
Nagavci në veçanti ka uruar nxënësit të cilët për herë të parë janë ulur në bankat shkollore, ndërsa ka shprehur besimin e plotë për një vit motivues, frymëzues, e punë me përkushtim nga mësimdhënësit.
Gjatë bashkëbisedimit me nxënës, mësimdhënës dhe stafin menaxherial në shkollën “Iliria”, ministrja Nagavci ka thënë se, me punë dhe përkushtim do të realizojmë misionin për një arsim cilësor.
Ministrja Nagavci ndër të tjera ka theksuar se, në bashkëpunim me shkollat, prindërit dhe mësimdhënësit suksesi do të jetë i garantuar.
Më pas, ministrja Nagavci vizitoi edhe shkollën “Elena Gjika” në Prishtinë, ku krahas urimit për fillimin e vitit të ri shkollor, i falënderoi nxënësit dhe mësimdhënësit për punën e bërë duke shprehur mbështetje për bashkëpunim të vazhdueshëm.
Nagavci, po ashtu tha se çfarëdo politike apo infrastrukture, investime që bëhet, pa punën e mësimdhënësve nuk do të kishte rezultatet që i synojmë.
Last modified: 2 Shtator, 2024