Në vizitën zyrtare që po e zhvillon në Izrael, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka vazhduar takime me përfaqësues të universiteteve, kolegjeve dhe shkollave të larta.
Nagavci ka vizituar Universitetin “Bar Ilan”, Institutin për Teknologji “Holon”, Kolegjin Akademik “Zefat”, si dhe Shkollën e mesme të lartë “Herzog”.
Ministrja Nagavci është shprehur falenderuese për mikpritjen e organizuar si dhe mundësitë e ofruara për bashkëpunim.
Gjatë këtyre takimeve, ajo ka folur në lidhje me funksionimin e sistemit arsimor në Kosovë, investimet në arsimin e lartë e në shkencë, mbështetjen me bursa për studentët, me theks vajzat.
Po ashtu, i ka informuar në lidhje me investimet në infrastrukturën fizike dhe përmirësimin e infrastrukturës ligjore në të gjitha nivelet. Gjithashtu, ka përmendur Strategjinë e arsimit, me theks të veçantë digjitalizimin e shkollave dhe ngritjen e kompetencave të mësimdhënësve në përdorimin e teknologjisë në shkolla.
Gjatë këtyre takimeve, rektorë, dekanë, profesorë, drejtorë shkollash e mësimdhënës, kanë ndarë përvojat e tyre specifike në përgatitjen e studentëve e nxënësve, sidomos në fushën e teknologjisë dhe inxhinierisë, matematikës, mjekësisë digjitale, programet specifike për vajzat/gratë në IT dhe ndërmarrësi.
Temë diskutimi ishte edhe siguria e përdorimit të internetit në shkolla dhe përballja me organizimin e procesit mësimor gjatë kohës së pandemisë Covid-19, sfidat dhe rëndësia e investimit në digjitalizimin e shkollave.
Ministrja Nagavci bashkë me përfaqësuesit e këtyre institucioneve, u pajtuan që të vazhdojnë komunikimin në mënyrë që të specifikohen mundesitë për bashkëpunim në arsimin e lartë, shkëmbimin e studentëve dhe profesorëve përmes projekteve të përbashkëta.
Ministrja takoi po ashtu tre nxënës nga Kosova, të cilët janë duke vijuar shkollimin e tyre në Izrael: Gent Jusufi, Fiona Kusari dhe Dita Haziri me ç’rast ju dëshiroi suksese në të ardhmen.
Last modified: 27 Tetor, 2022