MASHT

MINISTRJA NAGAVCI TAKOI NXËNËS TË SHKOLLAVE TË MESME NË DITËN NDËRKOMBËTARE TË ARSIMIT

24 Janar, 2023

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, është takuar me një grup të nxënësve të shkollave të mesme nga  komuna të ndryshme të Kosovës, në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, e cila këtë vit shënohet me temën “Investimi në njerëz dhe prioritizimi i arsimit”.

Me nxënësit, ministrja ka biseduar për gjendjen në arsim, punën që është bërë gjatë dy viteve të fundit, si dhe planet për ta ndryshuar gjendjen dhe për të ofruar arsim gjithëpërfshirës dhe cilësor për gjeneratat e reja.

Sa i përket arsimimit të tyre dhe të bashkëmoshatarëve të tyre në Kosovë, ministrja Nagavci foli për arsimin dual që ka filluar tashmë të aplikohet me disa drejtime, ofrimin e arsimit të lartë pa pagesë, si dhe numrin e madh të bursave që ndahen përmes skemave të mbështetjes financiare për studime brenda dhe jashtë vendit në nivele të ndryshme.

Duke folur për planet, ministrja Nagavci përmendi miratimin e Planit Strategjik të Arsimit 2022-2023 dhe tha se, ndër të tjera, është planifikuar rishikimi i teksteve shkollore, investimi i mëtutjeshëm në infrastrukturë dhe digjitalizimi i sistemit të arsimit.

Ministrja foli më gjatë për rolin e rëndësishëm që kanë nxënësit në arritjen e synimeve për shkolla të sigurta dhe arsim cilësor, prandaj i porositi ata që të adresojnë të gjitha shqetësimet, të japin ide, si dhe të aktivizohen sa më shumë për sferat që ju interesojnë. Në këtë drejtim, ajo i siguroi nxënësit se do të kenë përkrahjen e saj dhe të Ministrisë.

Last modified: 24 Janar, 2023