MASHT

MINISTRJA NAGAVCI TAKOI KRYETARIN E PRISHTINËS

12 Shtator, 2022

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci takoi kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama me të cilin diskutuan për bashkëpunimin mes Ministrisë dhe Komunës, në fushën e arsimit.

Ministrja Nagavci me këtë rast e informoi kryetarin Rama në lidhje me planifikimet e Ministrisë për të investuar në shumë projekte, për çka nevojitet edhe përkrahja dhe bashkëpunimi i Komunës në identifikimin e hapsirave të nevojshme infrastrukturore.

Ndër të tjera, në takim u diskutua edhe për Gjimnazin e Specializuar Matematikor në Prishtinë dhe problemet me të cilat po ballafaqohet kjo shkollë. Ministrja Nagavci kërkoi që si Komunë e Prishtinës të shikojnë mundësinë për gjetjen e një lokacioni për sigurimin e konviktit për nxënësit e këtij Gjimnazi, ashtu siç ka qenë e paraparë që në fillim.

Ministrja Nagavci dhe kryetari Rama po ashtu folën edhe për sigurimin e lokacionit për ndërtimin e shkollës së Muzikës në Prishtinë.

Ndër të tjera, Nagavci theksoi nevojën e ndërtimit të çerdheve të reja, sidomos në pjesë rurale, për çka kërkoi bashkëpunim në identifikimin e hapsirave për ndërtimin e tyre.

Ndërsa, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama shprehu shqetësimin e tij sa i përket rekrutimit të stafit në shkolla profesionale. Ministrja Nagavci dhe kryetari Rama u pajtuan që të shtyjnë përpara projektet e përbashkëta, me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës dhe cilësisë në arsim.

Last modified: 12 Shtator, 2022