Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci në konferencën e mbajtur me gazetarë ka folur veprimet që ka ndërmarrë MAShTI në zbatimin e politikave për reforma në arsim, të cilat përfshijnë përmirësimin e infrastrukturës ligjore, infrastrukturës fizike, zbatimin e mësimit dual, përmirësimin e kushteve për mësim, studim, punë akademike dhe kërkime shkencore.
Ministrja Nagavci foli për objektin e ri të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore i cili do të ofrojnë kushte moderne arsimore, me synim përmirësimin e cilësisë dhe gjithëpërfshirjes, si dhe rritjen e kapaciteteve kërkimore.
Në kuadër të bashkëpunimeve, Nagavci përmendi marrëveshjen e cila është nënshkruar me Shoqatën Profesionale të Informaticientëve të Kosovës (SHPIK), me qëllim të avancimit të shkathtësive të TIK-ut në sistemin e arsimit, përkatësisht implementimin e mësimit dual për profilet e TIK-ut në IAAP-të publike.
Një tjetër bashkëpunim i rëndësishëm për të cilin foli ministrja Nagavci është ai me Heras Plus dhe Researchcult për sistemin KRIS apo Sistemi Informativ i Kosovës për Kërkime Shkencore, i cili do të shërbejë si një platformë për mbledhjen dhe ruajtjen e të dhënave për kërkime shkencore, por edhe si një mekanizëm rregullator në ofrimin e informacionit më të standardizuar në hulumtim.
Duke folur për politikat e përkrahjes së vajzave dhe grave në fushat STEM, Nagavci paralajmëroi se, në muajin prill, nën përkujdesjen e Qeverisë së Kosovës, MAShTI do të organizojë Konferencën STEMinists.
“Kjo konferencë do të mundësojë rrjetëzimin e vajzave/grave në këto fusha, promovimin e fushave STEM në të gjitha nivelet e arsimit, si dhe krijimin e mundësive për punë praktike, mentorim e zhvillim profesional”, tha ajo.
Duke folur për infrastrukturën ligjore, Nagavci tha se Ligji për arsimin e lartë tashmë është finalizuar dhe është miratuar në Qeveri, si dhe në Komisionin Parlamentar për Arsim, ndërsa në kuadër të procesit të Berlinit Kuvendi ka miratuar edhe dy Projektligje të rëndësishme në fushën e arsimit, Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale të Mjekëve, Stomatologëve dhe Arkitektëve, në Kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore dhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor.
Ndër të tjera, Nagavci ka folur edhe për përurimin e dy objekteve të reja shkollore, përmbylljen e projektit PEDAKOS, që në fokus ka edukimin në fëmijërinë e hershme, vendosjen për diskutim publik të dy drafteve të dy udhëzimeve administrative që kanë të bëjnë me mësimdhënësit, udhëzimin për Këshillin e Prindërve dhe thirrjen për nominim të anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.
Last modified: 24 Shkurt, 2023