MASHT

MINISTRJA NAGAVCI RAPORTOI PARA KOMISIONIT PËR ARSIM PËR FILLIMIN E VITIT SHKOLLOR

5 Tetor, 2021

05 Tetor 2021

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka raportuar sot para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport në lidhje fillimin e vitit shkollor 2021/22, duke theksuar se Udhëzuesi për organizmin e procesit mësimor në kushte të pandemisë Covid-19, parasheh 4 skenarë, varësisht nga situata epidemiologjike dhe kushtet specifike në shkolla.

Ministrja me këtë rast ka bëri të ditur se, nga të dhënat e Drejtorive Komunale të Arsimit rezulton se, 385 institucione edukativo-arsimore mësimin janë duke e zhvilluar sipas skenarit Rikthimi, 368 sipas skenarit A, 18 sipas skenarit B dhe 2 sipas skenarit C, ndërsa mësimi nuk ka filluar në shkollën fillore “Iliria” në Komunën e Rahovecit për shkak të ndërtimit të objektit të ri shkollor, si dhe në 5 shkolla të Komunës së Kamenicës.

Nagavci theksoi edhe fillimin e emetimit të video-mësimeve nga data 27 shtator 2021, në kanalin RTK4, çdo ditë pune, prej orës 9.00-16.00, sipas orarit të përgatitur nga MAShTI.

Duke folur për numrin e stafit arsimor të vaksinuar, ministrja bëri të ditur se deri më tani 93.68 përqind prej tyre janë imunizuar.

Ministrja Nagavci po ashtu foli edhe për përgatitjen e teksteve të reja shkollore për klasat 3, 8 dhe 12, si dhe tekstet për komunitetin turk dhe atë boshnjak, përgatitjen e programeve mësimore për klasën 5, programin për gjuhën shqipe për nxënësit e komuniteteve joshqiptare për klasat 5,8,9,12 ku nxënësit zgjedhin këtë program për të mësuar, shpërndarjen e teksteve për klasat 1-5, klasën 8 dhe tekstet alternative për klasat VI dhe VII, si dhe përgatitjet tjera për fillimin e vitit shkollor.

Last modified: 7 Qershor, 2022