Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka pritur në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer dhe presidentin e Federatës së Industrisë Austriake, Georg Knill.
Temë e bashkëbisedimit në këtë takim ishin marrëdhëniet bilaterale në fushën e arsimit në mes dy vendeve, integrimi i Kosovës në BE, politikat e Kosovës në fushën e arsimit profesional dhe mundësi të tjera të bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Austrisë.
Ministrja Nagavci me këtë rast ka falënderuar qeverinë austriake për bashkëpunimin e ngushtë dhe ndihmën e vazhdueshme që ka dhënë në zhvillimin e arsimit në Kosovë, me theks të veçantë arsimit dhe aftësimit profesional, ndërsa ka shprehur gatishmërinë për të shtuar intensitetin e bashkëpunimit në të ardhmen, përmes zbatimit të projekteve të ndryshme.
Ministrja Nagavci ka thënë se, arsimi dhe aftësimi profesional paraqesin prioritet kyç të kësaj qeverisje, ndërsa theksoi se ndërlidhja e arsimit me tregun e punës është jetike sa i përket zhvillimit ekonomik të vendit.
Në anën tjetër, ambasadori i Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer dhe presidenti i Federatës së Industrisë Austriake, Georg Knill mirëpritën gatishmërinë e ministres Nagavci për të vazhduar bashkëpunimin ndërshtetëror në zhvillimin e arsimit në Kosovë.
Last modified: 24 Maj, 2024