Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka pritur sot nënkryetarin e Shoqatës së Miqësisë Austriako-Kosovare, njëherit Konsull nderi i Kosovës, Manfred Brandner dhe anëtarin e kësaj shoqate, Art Julius Aurel.
Gjatë këtij takimi është biseduar për mundësitë e bashkëpunimit në arsim, veçanërisht në arsimin dhe aftësimin profesional, por edhe në digjitalizimin në arsim dhe në shumë segmente të tjera.
Ministrja Nagavci falënderoi shtetin austriak për ndihmën e madhe që ka dhënë në arsim përgjatë viteve, ndërsa theksoi rëndësinë që ka për Kosovën bashkëpunimi në arsim me Austrinë, por edhe me Shoqatën, në mënyrë që të rinjve tanë t’iu krijohen më shumë mundësi.
Ministrja përmendi edhe planet e Qeverisë së Kosovës për të përfshirë diasporën shqiptare në arsim, veçanërisht në arsimin e lartë, në mënyrë që të kemi mundësi të shfrytëzojmë ekspertizën dhe eksperiencën e tyre për ta zhvilluar këtë nivel të arsimit.
Ndërkaq, nënkryetari i Shoqatës së Miqësisë Austriako-Kosovare, Manfred Brandner përmendi faktin se në Austri jeton një numër i madh i shqiptarëve, ndërsa theksoi gatishmërinë për bashkëpunim dhe për të ndihmuar në krijimin e mundësive të reja për arsimim dhe përgatitje profesionale të të rinjve tanë.
Last modified: 7 Qershor, 2022