Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci priti në takim znj.Micheline Calmy Rey, ish-Presidente federale e Departamentit të Punëve të Jashtme të Konfederatës Zvicerane, njëherit presidente e fondacionit “Orllati Group”.
Në këtë takim u bisedua për planet dhe projektet që fondacioni “Orllati Group” planifikon të zhvillojë në Kosovë, në funksion të aplikimit të mësimit dual në shkolla, si dhe mundësinë e ndarjes së bursave për përgatitje profesionale të të rinjve nga Kosova.
Ministrja Nagavci me këtë rast shprehu mirënjohjen e thellë për përkrahjen e Zvicrës dhënë Kosovës në fushën e arsimit, ndërsa mirëpriti propozimet për bashkëpunim në fushën e mësimit dual, si një segment tepër i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.
Ministrja Nagavci bëri të ditur se në Kosovë, mësimi dual sipas modeleve gjermanofolëse tashmë aplikohet në 4 profile dhe se planifikohet që kjo të zgjerohet edhe në profile të tjera.
Znj.Calmy Rey tha se, Fondacioni është i gatshëm që të investojë në Kosovë, por se për këtë nevojitet përkrahje institucionale.
Në këtë takim i pranishëm ishin edhe ambasadori i Kosovës në Zvicër, Sami Ukelli dhe sipërmarrësi Avni Orllati, themelues dhe pronar i kompanisë ndërtimore “Orllati Group”.
Last modified: 7 Shtator, 2022