MASHT

Ministrja Nagavci priti në takim përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve të Kosovës

2 Shtator, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, ka pritur në takim përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve të Kosovës, të kryesuar nga Besnik Dragusha, me të cilët ka diskutuar rreth procesit të furnizimit me tekste shkollore, Udhëzimin Administrativ për Kalendarin Shkollor 2024/25 dhe procese te tjera të cilat ndërlidhen e mbarëvajtjen e mësimit.

Ministrja Nagavci ka falënderuar Këshillin e Prindërve të Kosovës dhe kryetarin, Besnik Dragusha për angazhimin e tyre sa i përket adresimit të çështjeve, të cilat vijnë nga prindërit dhe që qëllim kryesor kanë sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve.

Ministrja Nagavci ka folur edhe për punët dhe angazhimet e Ministrisë, DKA-ve dhe shkollave, në mënyrë që viti shkollor të fillojë mbarë dhe sipas planifikimeve.

Ndërsa, kryetari Dragusha falënderoi ministren Nagavci për mbështetjen dhe bashkëpunimin e ofruar ndaj Këshillit, në mënyrë që prindërit të kontribuojnë në sistemin e arsimit për aq sa kanë përgjegjësi. Dragusha po ashtu ka falënderuar ministren Nagavci për përmbajtjen e Kalendarit shkollor, duke e cilësuar atë të përshtatshëm për fëmijët dhe prindërit.

Last modified: 2 Shtator, 2024