Në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka pritur në takim drejtues të Departamentit të Psikologjisë të Universitetit të Prishtinës, të kryesuar nga shefi i këtij Departamenti, Mytaher Haskuka dhe udhëheqësja e projektit për mbështetjen akademike dhe emocionale të studentëve, Zamira Hyseni Duraku.
Në takim u diskutua mbi rëndësinë e mbrojtjes së mirëqenies mendore të studentëve dhe personelit në institucionet e arsimit të lartë.
Ministrja Nagavci shprehu gatishmërinë për të ndihmuar dhe së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë të punohet bashkërisht për ide të konkretizuara me tema që kanë të bëjnë me çështjen e mirëqenies dhe të shëndetit, duke punuar bashkërisht për parandalim dhe vetëdijesim.
Udhëheqësja e projektit për mbështetjen akademike dhe emocionale të studentëve, Zamira Hyseni Duraku tha se, duhet ti mbështesim studentët dhe të shqyrtohen mundësitë së bashku me Ministrinë e Arsimit për të avancuar mbrojtjen e mirëqenies mendore të tyre, në kuadër të institucioneve të arsimit të lartë.
Shënimi i Ditës Botërore të Shëndetit Mendor synon të rrisë ndërgjegjësimin për çështjet e shëndetit mendor dhe të promovojë mbështetjen për ata që përballen me sfida në këtë fushë.
Last modified: 13 Tetor, 2024