Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka pritur në takim një delegacion të International Research & Exchanges Board-IREX, të kryesuar nga drejtoresha, Kristin Lord, me të cilët ka biseduar për gjendjen e përgjithshme në arsim dhe veprimet të cilat janë ndërmarrë për të ofruar kushte dhe shërbime më të mira edukativo-arsimore.
Ministrja Nagavci me këtë rast ka folur për bashkëpunimin ndërmjet MAShTI dhe IREX, në përmirësimin e infrastrukturës teknologjike, shkëmbimin e përvojave, mbështetjen e nevojshme për shkollat përmes granteve të ndryshme, zhvillimin e fuqisë punëtore në Kosovë përmes sektorit privat, të cilat kanë për synim ngritjen e cilësisë në arsim.
Në këtë takim, ministrja Nagavci ka folur edhe për mbështetjen që MAShTI ka ofruar për nxënësit përmes ofrimit të kurseve për IT, politikat qeveritare për mbështetjen e zbatimit të mësimit dual në shkolla dhe projekte të cilat promovojnë energjinë solare në shkolla, ku disa tanimë kanë ndërmarrë hapa drejt përdorimit të energjisë solare.
Drejtoresha e IREX, Kristin Lord falënderoi ministren Nagavci për gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar në projekte të ndryshme, të cilat kanë për qëllim krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për zhvillimin e procesit mësimor në shkollat e Kosovës.
Last modified: 11 Qershor, 2024