Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci priti sot në takim Ambasadorin e ri të Austrisë në Kosovë, George Schnetzer.
Ministrja Nagavci i uroi mirëseardhje ambasadorit Schnetzer, duke theksuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy shteteve në fushën e arsimit.
Nagavci falënderoi Qeverinë e Austrisë për ndihmën që ka dhënë në vazhdimësi përmes projekteve të ndryshme në sektorin e arsimit sidomos në ndërlidhjen e arsimit profesional dhe arsimit të lartë me tregun e punës.
Ndër të tjera, ministrja foli edhe për marrëveshje ndërmjet dy vendeve, të cilat parashohin zbatimin e programeve të cilat kontribuojnë në qeverisjen më të mirë, cilësinë, ndërkombëtarizimin dhe efikasitetin e arsimit të lartë, si dhe në përafrimin e arsimit të lartë me tregun e punës.
Ndërsa, ambasadori Schnetzer tha se, Qeveria e Austrisë do të vazhdojë të ndihmojë Kosovën përmes programeve të ndryshme, si një nga donatorët më të mëdhenj, në fushën e arsimit në Kosovë.
Last modified: 13 Tetor, 2023