Edukimi në fëmijërinë e hershme është ndër prioritetet më të rëndësishme të Qeverisë Kurti dhe në kuadër të përmbushjes së zotimit tonë, kemi hapur tenderin për ndërtimin edhe të 4 çerdheve tjera në Deçan, Viti, Milloshevë–Obiliq dhe në Prizren. Kështu ka thënë ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, në konferencën për medie, ku ka folur për aktivitetet dhe të arriturat e fundit në arsim.
Ministrja ka theksuar se Ministria do të vazhdojnë me realizimin e planit për ndërtimin e çerdheve e kopshteve të reja dhe ka ftuar komunat për bashkëpunim në evidentimin e hapësirave për ndërtimin e çerdheve të reja. Ministrja Nagavci foli edhe për vendimin për ndarjen e 70 bursave në vlerë 500 euro për nxënës në Institucionet e Arsimit dhe Aftësimit Profesional në drejtimet deficitare dhe bursa për vajza në drejtime teknike.
Po ashtu, ministrja Nagavci përmendi certifikimin e 15 këshilltarëve të parë të karrierës të nivelit të 5-të, ku ftoi komunat që të identifikojnë nevojat për këshilltarë të karrierës dhe të inkuadrojnë mësimdhënësit që kanë mungesë të orëve e të cilët shprehin vullnet për t’u rikualifikuar në këtë program.
Ministrja Nagavci foli edhe për pakon ligjore për sistemin e licensimit të mësimdhënësve, e cila është prezantuar në fillim të këtij muaji, si dhe risitë që sjellin këto Udhëzime, të cilat do të jenë në diskutim publik deri më 7 qershor 2023. Sa i përket Raportit evropian për Kosovën, ministrja Nagavci tha se ky Raport ka evidentuar suksese dhe mesazhe pozitive për Kosovën, përfshirë edhe në fushën e arsimit, ku është përshëndetur lansimi i Strategjisë së Arsimit 2022-2026, ndarja e bursave për studentët e fushave STEM, marrëveshjet e fundit në kuadër të Procesit të Berlinit për Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë dhe për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale për mjekët, dentistët dhe arkitektët.
Ministrja Nagavci foli edhe për lansimin e programit të përbashkët me Ministrinë e Kulturës “Arti në shkolla”, si dhe ndërtimin dhe përurimin e shkollës “Bajram Curri”, në Krushë të Madhe të Rahovecit në vlerë 1,471,538.31 euro. Ministrja theksoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit me prindër në funksion të ngritjes së cilësisë në arsim dhe me këtë rast, ftoi komunat dhe shkollat që të respektojnë të gjitha procedurat e parapara me UA.
Në fund, ministrja foli edhe për Thirrjet për projekte shkencore, ku ndër të tjera përmendi se në thirrjen e fundit kemi pranuar gjithsej 25 aplikime, ndërsa vazhdon të jetë e hapur deri më 25 qershor 2023 thirrja për projekte të përbashkëta kërkimore, tekniko-shkencore mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Last modified: 30 Maj, 2023