MASHT

MINISTRJA NAGAVCI PREZANTOI PUNËN E BËRË NË ARSIM GJATË VITIT 2022

30 Dhjetor, 2022

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka paraqitur të arriturat dhe punën që është bërë në të gjitha nivelet e arsimit, në shkencë, teknologji e inovacion përgjatë vitit 2022.

Në konferencën e fundvitit për medie, ministrja foli për edukimin në fëmijërinë e hershme, ku ndër të tjera përmendi miratimin e Projektligjit për fëmijërinë e hershme, themelimin e Komitetit këshillëdhënës për edukimin në fëmijërinë e hershme, miratimin e Udhëzuesit për Ushqyeshmëri të Shëndetshme në Fëmijëri të Hershme.

Ajo po ashtu foli edhe për ndërtimin e çerdheve dhe adaptimin e objekteve në kopshte për fëmijë.

Duke folur për arsimin parauniversitar, ministrja Nagavci përmendi ndarjen e 1.7 milionë eurove për mësimdhënësit në gjendje jo të mirë shëndetësore, ruajtjen e normave të 1.600 mësimdhënësve, punësimin e 100 asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta dhe ndarjen e buxhetit për punësimin edhe të 300 asistentëve tjerë në vitin e ardhshëm.

 Infrastruktura ligjore, po ashtu ka qenë një segment, të cilit i është kushtuar rëndësi dhe ministrja Nagavci përmendi finalizimin e Ligjit për tekste shkollore, i cili një ditë më parë është miratuar në Qeveri.

Ndërsa, sa i përket përmirësimit të infrastrukturës fizike, ajo theksoi ndërtimin e 11 shkollave fillore dhe të mesme të ulëta si dhe ndërtimin e 7 sallave të edukatës fizike. Lansimi i Abetares së përbashkët unike Kosovë-Shqipëri dhe fillimi i pilotimit të arsimit dual, u përmendën po ashtu nga ministrja si të arritura gjatë këtij viti.

Një punë shumë e rëndësishme e finalizuar këtë vit, tha ministrja Nagavci, është hartimi i Strategjisë për arsim 2022-2026, i cili është dokumenti kryesor për zhvillimin e sektorit të arsimit në Kosovë për këtë periudhë. Ndër të tjera, ministrja foli edhe për konkursin për pranimin e 20 inspektorëve të arsimit dhe tha se vitin e ardhshëm do të pranohen edhe 20 të tjerë.

Sa i përket arsimit të lartë, ministrja veçoi miratimin nga ana e Qeverisë të Ligjit për Arsimin e Lartë, ndarjen e 3.978 bursave për studentët e dalluar për studime në nivele të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, si dhe rikthimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim në ENQA si anëtare e asocuar. Rifuksionalizimi i Këshillit Kombëtar të Shkencës, i cili tashmë ka finalizuar Programin Kombëtar të Shkencës 2023-2028, ishte po ashtu një sukses i përmendur nga ministrja në fushën e shkencës.

Ministrja Nagavci foli edhe për të arriturat e Kosovës në kuadër të programit Horizon Europe, ku Kosova ka përfunduar me sukses procesin e anetarësimit si anëtare plotësisht e asociuar. Sa i përket inovacionit, ministrja Nagavci theksoi faktin se është duke u hartuar koncept-dokumenti i kërkimit dhe inovacionit në Kosovë që do të reflektojë zhvillimet e reja në këtë fushë.

Ndërsa, duke folur rreth rritjes së buxhetit të MAShTI-t për arsim, theksoi faktin se për vitin 2023 do të jetë 82.799.243 euro apo 9.712.412 euro më shumë sesa në vitin 2022 që paraqet një rritje prej 12 përqind. Nga ky buxhet, 6.5 milionë euro janë planifikuar për pajisjen e shkollave me teknologji të informacionit dhe komunikimit.

Last modified: 30 Dhjetor, 2022