Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, ka pritur sot në takim inspektorët e rinj të arsimit nga Komuna e Gjakovës dhe Komuna e Ferizajt.
Gjatë këtij takimi, ministrja Nagavci uroi inspektorët për detyrën e re dhe theksoi rëndësinë që ka puna e tyre në sigurimin e cilësisë dhe zbatimin e standardeve në sistemin arsimor të Kosovës.
Ajo i siguroi inspektorët për përkrahjen e plotë të Ministrisë në ushtrimin e përgjegjësive të tyre dhe theksoi nevojën për bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional për të avancuar më tej cilësinë në arsim.
“Inspektorati i Arsimit është një hallkë kyçe për funksionimin efikas të sistemit tonë arsimor. Mbështetja institucionale dhe puna profesionale janë garanci për suksesin e përbashkët,” u shpreh ministrja Nagavci.
MAShTI mbetet e përkushtuar që të forcojë kapacitetet profesionale të të gjithë zyrtarëve arsimorë dhe të sigurojë një sistem të mbikëqyrjes që kontribuon në përmirësimin e vazhdueshëm të arsimit në vend.
Last modified: 22 Maj, 2025