MASHT

MINISTRJA NAGAVCI: POLITIKA TË REJA NË FUNKSION TË GJITHËPËRFSHIRJES DHE CILËSISË NË ARSIM PËR VITIN 2023

4 Maj, 2022

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka theksuar se në MAShTI ka gatishmëri të madhe për bashkëpunim, në mënyrë që të kalohen vështirësitë me të cilat ballafaqohen komunat në arsim, ndërsa ka thënë se po krijojmë politika të reja që si qëllim kanë sigurimin e gjithëpërfshirjes dhe cilësisë.

Në takimin e rregullt me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit, ministrja Nagavci ka përmendur politikat e reja për vitin 2023, të miratuara tashmë nga Komisioni i Granteve, e që ndër të tjera, përfshijnë edhe punësimin e 300 asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, 30 specialistë të Teknologjisë Informative dhe Komunikimit që do të ndihmojnë procesin e digjitalizimit të shkollave, si dhe 59 këshilltarë të karrierës për nivelin e mesëm të ulët.

Po ashtu, ministrja Nagavci ka theksuar se janë siguruar edhe normat e mbi 2 mijë mësimdhënësve që konsiderohen tepricë për shkak të zvogëlimit të numrit të nxënësve dhe për këtë, ajo kërkoi nga DKA-të që të propozojnë zgjidhje se si këta mësimdhënës të vihen në funksion të përmirësimit të performancës dhe mbarëvajtjes së punës në shkolla.

Në këtë takim, u bisedua edhe për mbarëvajtjen e procesit mësimor, përfshirë organizimin e testeve kombëtare e ndërkombëtare për nxënësit, tekstet shkollore dhe përgatitjet me kohë për fillimin e vitit të ri shkollor, por edhe çështje të tjera të ngritura nga drejtorët e DKA-ve, me të cilat ballafaqohet arsimi.

Ministrja Nagavci theksoi se në të gjitha këto procese, një bashkëpunim i mirë mes nivelit qendror dhe atij lokal, do të mundësojë kalimin me sukses të çdo vështirësie e sfide dhe të përmirësohen rezultatet në arsim.

Last modified: 17 Maj, 2022