Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci po merr pjesë në Konferencën globale për të drejtat e njeriut për arsim cilësor, e cila po mbahet në Vjenë të Austrisë.
Në këtë konferencë në të cilën po marrin pjesë ministra, ambasadorë, rektorë, akademikë, ekspertë të arsimit e studentë, ministrja Nagavci ka folur në lidhje me temën e edukimit për të drejtat e njeriut.
Ministrja ka theksuar se Kosova synon forcimin e mëtejshëm të arsimit të të drejtave të njeriut në të gjitha nivelet. Ajo ka thënë se qëllimi kryesor i sistemit të Kosovës është që të sigurojë arsim optimal për të gjithë individët, pavarësisht prejardhjes, gjinisë, racës, fesë, etnisë dhe kulturës.
Po ashtu, ajo ka shtuar se fokusi i MAShTI-t dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës është që të vazhdojmë të forcojmë arsimin e të drejtave të njeriut në nivelin fillor, të mesëm dhe arsimin e lartë.
Në këtë drejtim, ministrja Nagavci ka theksuar se Kosova do të përpiqet për politika që përfshijnë tre dimensione, siç përcaktohet nga Këshilli i Evropës, e që janë:
-Të mësuarit për të drejtat e njeriut, njohurive për të drejtat e njeriut, çfarë janë dhe si ruhen ose mbrohen;
-Të mësuarit përmes të drejtave të njeriut, duke pranuar se konteksti dhe mënyra se si organizohet dhe jepet mësimi për të drejtat e njeriut duhet të jetë në përputhje me vlerat e të drejtave të njeriut, të tilla si, pjesëmarrja, liria e mendimit dhe e shprehjes;
-Të mësuarit për të drejtat e njeriut, duke zhvilluar aftësitë, qëndrimet dhe vlerat për nxënësit që të zbatojnë vlerat e të drejtave të njeriut në jetën e tyre dhe të ndërmarrin veprime, vetëm ose me të tjerët, për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Last modified: 7 Qershor, 2022