MASHT

MINISTRJA NAGAVCI MORI PJESË NË SHËNIMIN E DITËS SË SHKOLLËS NË DY SHKOLLA TË PRISHTINËS

22 Prill, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e shoqëruar nga këshilltari i lartë politik, Muhedin Nushi ka marrë pjesë në shënimin e Ditës së Shkollës së Sh.F.M.U “Shkolla e Gjelbër” në Prishtinë, e cila përkon me shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Tokës.

Ministrja Nagavci ka përgëzuar stafin menaxherial të shkollës, mësimdhënësit dhe nxënësit për organizimin dinjitoz të Ditës së Shkollës, e cila fokusohet në rëndësinë e ruajtjes së ambientit në planetin ku jetojmë, ndërsa ka shprehur gatishmërinë e Ministrisë së Arsimit për mbështetjen e palëkundur në çdo aspekt të mësimit dhe edukimit, jo vetëm për Shkollën e Gjelbër, por për të gjitha shkollat e vendit.

Për rëndësinë e edukimit në ngritjen e vetëdijes shoqërore për ruajtjen e mjedisit ka folur edhe drejtori i “Shkollës së Gjelbër”, Besart Ismaili, i cili tha se, i bashkohemi qëllimit të shënimit të Ditës së Tokës duke punuar përgjatë gjithë vitit, për çka edhe falënderoi ministrinë, DKA-në, pridërit, nxënësinë dhe komunitetin, për mbështetjen në arritjen e këtij qëllimi.

Më pas, ministrja Nagavci ishte e pranishme edhe në përvjetorin e 96-të të themelimit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Nexhmi Mustafa” në Besi të Prishtinës.

Ministrja Arbërie Nagavci në fjalën e saj të rastit, vlerësoi lartë kontributin e mësimdhënësve të cilët kanë shërbyer në këtë shkollë, e cila është ngritur 96 vite më parë, si një institucion i cili ka nxjerrë gjenerata të tëra të arsimuara, të cilat i kanë shërbyer vendit.

Ministrja Nagavci tha se, krahas urimit për festën e shkollës, shkonë edhe mirënjohja dhe falënderimi për të gjithë ata të cilët kanë punuar me përkushtim, por edhe për prindërit dhe komunitetin e fshtatit, të cilët bashkërisht kanë ngritur dhe e kanë mbajtur gjallë këtë shkollë.

Nagavci, po ashtu foli edhe për angazhimin e saj si ministre në rregullimin e infrastrukturës fizike shkollore, me theks edhe mbështetjen për këtë shkollë, si një mundësi dhe nevojë e patjetërsueshme për të mirën e fëmijëve tanë.

Drejtoresha e Sh.F.M.U “Nexhmi Mustafa”, Xhevrie Osmani tha se, gati një shekull punë, angazhim e sakrificë që nga themelimi i kësaj shkolle, janë arsye që të festohet me mburrje për arritjet e shumta të fëmijëve që u edukuan dhe arsimuan nga gjenerata të shumta të mësimdhënësve, që lanë gjurmë të pashlyeshme dhe i dhanë imazh shkollës “Nexhmi Mustafa”.

MINISTRJA NAGAVCI MORI PJESË NË SHËNIMIN E DITËS SË TOKËS NË KOSOVË

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, bashkë me ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu, ministrin e Kulturës, Hajrullah Çeku, ministrin e Bujqësisë, Faton Peci dhe përfaqësuesin e UNDP-së, Nuno Queiros, morën pjesë në ngjarjen lansuese të shënimit të Ditës së Tokës në Kosovë, e cila u shënua sot në Kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Në këtë ngjarje e cila u organizua nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në bashkëpunim me Zyrën e Presidencës dhe Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, u zbulua instalacioni “Muri apo Premtimi i Prirtë”, projekt i ndërtuar përmes përdorimit inovativ të plastikës së ricikluar, që shërben si një reflektim mbi ndërgjegjen tonë mjedisore dhe nevojën urgjente për praktika të qëndrueshme.

Për rolin kyç që ka edukimi mjedisor në gjeneratat e reja në mbrojtjen e mjedisit, ka folur ministrja Arbërie Nagavci e cila ka thënë se, në ditën kur bota mbarë risjellë rëndësinë e padiskutueshme të mbrojtjes së planetit tonë, kjo vepër instalacioni po e shënon këtë ngjarje në mënyrën më origjinale dhe kreative.

Nagavci tha se, arti është instrumenti më i bukur dhe më efektiv që na bënë thellësisht të vetëdijshëm për problematikat shoqërore dhe mjedisore, si dhe për përgjegjësitë që i kemi secili prej nesh.

Ndër të tjera, ministrja Nagavci tha se, sot në të gjitha shkollat e Kosovës janë duke u shënuar aktivitete që synojnë ngritjen e vetëdijes shoqërore për ruajtjen e mjedisit, gjë që dëshmon se vetëdija jonë kolegtive është duke u zhvilluar në drejtimin e duhur dhe po shoqërohet me veprime konkrete, dhe po ashtu na bënë që të vetëdijësohemi edhe më shumë se kujdesi për shtëpinë tonë të përbashkët duhet të jetë i çdoditshëm.

Last modified: 22 Prill, 2024