Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, në Samitin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional–VET Samit, i cili po mbahet në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren ka thënë se, sistemi i Arsimit dhe Aftësimit Profesional luan rol vendimtar në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik, progresin teknologjik, industrializimin e shpejtë, krijimin e pasurisë dhe uljen e varfërisë së një shteti.
Ndër të tjera, ministrja Nagavci theksoi se, MASHTI do të rregullojë ofrimin e kualifikimeve në bazë të nevojave lokale, me fokus fuqizimin e bashkëpunimit me përfaqësuesit e bizneseve dhe vet bizneset, në mënyrë që nxënësve të ju mundësohet aftësimi praktik përmes të mësuarit në vend të punës.
Ministrja me këtë rast ka rikujtuar se, MASHTI është përgjegjës për pjesën e AAP-së formale, ku në kuadër të saj veprojnë në total 68 shkolla profesionale, ku 62 nga shkollat menaxhohen nga DKA-të, derisa 6 prej tyre menaxhohen nga AAAPARr.
Për sigurinë e nxënësve gjatë punës praktike, ministrja Nagavci tha se, këtë vit janë ndarë mbi 3 milionë euro dhe se janë duke marrë model shtetet më të zhvilluara.
Në rastin e Kosovës, ka theksuar Nagavci, faktor mbështetës në transformimin e AAP-së do të jetë involvimi i diasporës, e cila do të sjellë përvojat nga shtetet gjermano-folëse dhe bashkërisht do të angazhohemi që t’i përshtatim këto praktika në kontekstin tonë.
Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë dhe Nebi Hoxha kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriore, theksuan faktin se kërkesa e
bizneseve për punëtorë të kualifikuar është e madhe.
Në panel morën pjesë edhe zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jan-Axel Voss, përfaqësuesja e Ambasadës së Zvicrës në Kosovë, Katrin Ochsenbein dhe përfaqësuesi i USAID-it, Matthew Cullinane.
Ky Samit është mbështetur nga organizata vendore dhe ndërkombëtare, si dhe nga institucionet relevante të Kosovës.
Last modified: 7 Qershor, 2022