Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, së bashku me zëvendësministrin, Arsim Ademi kanë marrë pjesë në punëtorinë e Projektit NURIC, të organizuar nga Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Kolegji Ndërkombëtar Universum, që është mbajtur në hapësirat e Qendrës së Kompetencës në Ferizaj.
Roli i Projektit NURIC është shumëdimensional dhe synon që të zhvillojë, pilotojë dhe vlerësojë një program fleksibël në arsim, për informatikën e infermierisë, duke ofruar nano-kurse dhe programe certifikimi, të bazuara në standardet ndërkombëtare të kompetencave dixhitale, të përshtatura për nevojat lokale.
Ministrja Nagavci theksoi se, ngritja e kapaciteteve në informatikën e infermierisë, me qëllim të dixhitalizimit të kujdesit shëndetësor, janë shtyllë e fuqishme rreth së cilës ndërtohet një sistem shëndetësor i fortë dhe modern.
Ajo theksoi se ky projekt ngërthen në vete shumë palë dhe akterë, ku MAShTI me Arsimin dhe Aftësimin Profesional luan rol kyç dhe prekë sferën e dixhitalizimit të arsimit dhe planeve strategjike.
Nagavci u shpreh se, projekti NURIC do të jetë një sukses dhe rezultatet e tij do të shërbejnë si një shtytje për projekte të tjera të ngjashme në të ardhmen. Ajo beson se përmirësimet e arritura përmes këtij projekti do të krijojnë një bazë të fortë për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit dhe kërkimit shkencor në Kosovë.
Ndërsa, u.d. Drejtoresha e Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur, Fikrije Zymberi përmendi se projekti synon të rrisë kapacitetin e ofruesve të Arsimit dhe Aftësimit Profesional për të ndërtuar programe arsimore dixhitale të qëndrueshme për profesionistët e infermierisë.
Last modified: 23 Shtator, 2024