MASHT

MINISTRJA NAGAVCI MORI PJESË NË LIGJËRATËN E FITUESIT TË ÇMIMIT NOBEL NË KIMI, DAN SHECHTMAN

5 Maj, 2023

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë në një ligjëratë të fituesit të Çmimit Nobel në Kimi, Prof.Dr. Dan Shechtman nga Izraeli, me temën: “Pse në universitetet kosovare studentët duhet të mësojnë për teknologjinë, si dhe pse fëmijët në kopsht duhet të mësojnë për shkencën”.

Me këtë rast, ministrja Nagavci falënderoi profesorin Shechtman për ligjëratën e tij frymëzuese, ndërsa tha se tema e këtij paneli kombinon dy anë të së njëjtës monedhë, të cilat janë shkrirë në strukturën e shoqërive të përparuara, e që janë gjithashtu dy nga prioritetet thelbësore të kësaj Qeverie dhe Ministrisë së Arsimit.

“Shkenca është shtylla kryesore e shoqërisë dhe për fat të mirë, sot është lehtësisht e arritshme për të gjithë, përfshirë fëmijët. Si Ministri kemi ndërmarrë një sërë veprimesh për intensifikimin e studimeve në fusha të ndryshme të shkencave”, tha ministrja Nagavci, ndërsa mes tjerash, përmendi edhe konferencën e parë për vajzat dhe gratë në STEM, e quajtur STEMinists, e cila u mbajt javën e kaluar.

Ministrja foli edhe për arsimin dual të filluar tashmë në në shkollat profesionale, e po ashtu edhe për edukimin në fëmijërinë e hershme.

“Një fëmijë që fillon të mësojë shkencën në kopshtin e fëmijëve do të jetë një i rritur që është i përgatitur të fitojë aftësi sipërmarrëse në universitet, gjithmonë me teknologjinë pranë”, tha ministrja Nagavci dhe në fund theksoi se në këtë mënyrë e formojmë shoqërinë tonë dhe e avancojmë Republikën tonë.

Last modified: 5 Maj, 2023