Komisioni Parlamentar për Arsim, në mbledhjen e sotme, ka shqyrtuar dhe miratuar në parim Projektligjin për Tekste Shkollore, Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivel master në mes të MASHTI dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë, si dhe vendimin e Qeverisë për themelimin e Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit (IBCM) me seli në Mitrovicë, si institucion i arsimit të lartë.
Në këtë takim, ka marrë pjesë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila para anëtarëve të Komisionit ka folur për të tri këto pika që ishin në rendin e ditës.
Projektligji për Tekste Shkollore, tha ministrja Nagavci, ka për qëllim përcaktimin e normave, standardeve dhe procedurave themelore për hartimin, vlerësimin dhe botimin e teksteve shkollore, materialeve mësimore, mjeteve mësimore, lektyrës shkollore dhe të dokumentacionit pedagogjik në arsimin parauniversitar.
“Si i tillë paraqet legjislacion thelbësor për sigurimin e cilësisë në arsim në Republikën e Kosovës”, u shpreh ajo.
Ndërsa, sa i përket marrëveshjes me Ambasadën e Francës, ministrja Nagavci tha se kjo marrëveshje ka për qëllim promovimin e lëvizjes dhe shkëmbimit të studentëve përmes mbështetjes financiare dhe përforcimin e bashkëpunimit në fushën e Arsimit të Lartë.
“Kjo marrëveshje është e rëndësishme për ndërkombëtarizimin e Arsimit të lartë në Kosovë dhe vazhdimin e bashkëpunimit të suksseshëm ndër vite me Ambasadën Franceze”, tha ministrja.
Ministrja Nagavci, po ashtu, foli edhe për vendimin për themelimin e Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit (IBCM) me seli në Mitrovicë, si institucion i arsimit të lartë, vendim i cili është marrë pas rekomandimit të grupit punues për shqyrtimin e modalitetit të qëndrueshmërisë dhe mbështetjes financiare për IBCM nga viti 2023.
Last modified: 27 Prill, 2023