Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë në mbledhjen e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sporte, ku u bë dëgjimi publik i Projektligjit për Tekste Shkollore.
Ministrja Nagavci me këtë rast tha se, MAShTI duke u mbështetur në programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në bashkëpunim me akterët relevantë, në vitin 2022 e ka finalizuar Projektligjin për tekste shkollore, i cili është aprovuar edhe në Qeverinë e Kosovës dhe njëkohësisht ka kaluar edhe leximin e parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Nagavci tutje tha se, qëllimi i këtij Projektligji është përcaktimi i normave, standardeve dhe procedurave themelore për hartimin, vlerësimin dhe botimin e teksteve shkollore dhe të dokumentacionit pedagogjik në arsimin parauniversitar.
Ministrja Nagavci bëri të ditur se, në procesin e hartimit të këtij projekligji janë përfshirë zyrtarë nga MASHTI dhe institucionet vartëse të Ministrisë, ekspertë vendor e ndërkombëtarë, përfshirë edhe Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, përfaqësues të komunitetit akademik dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Disa nga risitë e përfshira në këtë Projektligj janë:
-Aplikimi me dorëshkrime drejtpërdrejtë nga autorët dhe përkrahja e vazhdueshme përmes ngritjes së kapaciteteve;
-Sigurimi i recensentëve kompetentë e llogaridhënës;
-Pilotimi/Prova e teskteve shkollore gjatë përgatitjes teknike;
-Rishikimin e vazhdueshëm të teksteve shkollore;
-Në linjë me qëllimin tonë strategjik të digjitalizimit në arsim;
-Hapja e rrugëve për mundësi të përkthimit dhe përshtatjes së teksteve shkollore për të gjitha fushat;
-Fuqizimi i Këshillit Shtetëror për tekste shkollore duke reflektuar fushat kurrikulare, konceptet themelore të funksionimit të arsimit si integrimi i teknologjisë, diversiteti, inkluzioni, shkenca e të mësuarit, zhvillimi i fëmijës, mësimdhënia moderne dhe aspektet e barazisë gjinore.
Last modified: 27 Mars, 2024