MASHT

MINISTRJA NAGAVCI MORI PJESË NË CEREMONINË E RINOVIMIT TË SHML “AHMET GASHI” NË PRISHTINË

17 Shtator, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, së bashku me Ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier kanë marrë pjesë në ceremoninë e rinovimit të SHML “Ahmet Gashi”, në Prishtinë. Të pranishëm në këtë ceremoni ishim edhe zëvendësministri, Arsim Ademi, shefja e Kabinetit, Bora Shpuza, nënkoloneli David Veney dhe kryetaru i komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Rinovimi i SHML “Ahmet Gashi” në Prishtinë është arritur përmes një bashkëpunimi të ngushtë midis Ambasadës Amerikane, Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Komunës së Prishtinës. Ky projekt është pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për të përmirësuar infrastrukturën arsimore dhe për të krijuar një mjedis më të mirë për nxënësit dhe mësimdhënësit.

Ministrja Nagavci ka shprehur mirënjohjen e saj për Ambasadën Amerikane për mbështetjen e vazhdueshme në përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Kosovë. Ajo theksoi se ky rinovim është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të kushteve më të mira dhe se ky është vetëm një prej shumë projekteve të tilla rinovuese, që janë përuruar gjatë tri viteve të fundit.

Nagavci gjithashtu vuri në dukje se, Qeveria e Kosovës ka vënë në fokus të veçantë infrastrukturën shkollore, si pjesë e rëndësishme e punës drejt përmirësimit të cilësisë së arsimit, duke ndërtuar shkolla e çerdhe të reja, duke ristrukturuar objektet e vjetra të shkollave dhe adaptimin e tyre në ambiente moderne dhe efikase për zhvillimin edukativo-arsimor të fëmijëve.

Ambasadori Amerikanë në Kosovë, Jeffrey Hovenier, theksoi rëndësinë e investimeve në arsim dhe vuri në dukje se ky projekt është shembull i përkushtimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të mbështetur zhvillimin e arsimit dhe për të forcuar marrëdhëniet midis dy vendeve, për ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritur për të rinjtë e Kosovës.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e Ambasadës Amerikane, si dhe vuri në dukje se ky bashkëpunim është shembull i shkëlqyer i partneritetit ndërmjet institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për të avancuar sistemin arsimor në kryeqytet.

Last modified: 17 Shtator, 2024