Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë në ceremoninë e shënimit të 11 vjetorit të themelimit të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë. Me këtë rast, ministrja Nagavci theksoi se, kjo ditë duhet të jetë motiv për të vazhduar punën, për të siguruar një arsim cilësor dhe për të nxjerrë gjenerata me plot vlera, të cilët ecin në hapat e njejtë me bashkëmoshatarët e tyre në mbarë botën.
Ajo tha se për të arritur që të kemi një arsim cilësor duhet të punojmë çdo ditë së bashku, ndërsa theksoi se përmirësimi i cilësisë dhe reforma në arsimin e lartë është në qendër të vëmendjes së Qeverisë dhe një nga 5 objektivat e Planit Strategjik të Arsimit për periudhën 2022-2026.
Pasi që përmendi një varg veprimesh që janë marrë në këtë drejtim, ministrja Nagavci tha se arsimi i lartë është promotor për zhvillime sociale dhe ekonomike, prandaj MAShTI është i përkushtuar të ofrojë ndihmën dhe mekanizmat që të sigurohemi që sistemi i arsimit të lartë në Kosovë të ngritet në cilësinë më të lartë dhe të jetë i krahasueshëm me ato të vendeve të Evropës.
Ministrja Nagavci uroi që Universiteti “Haxhi Zeka”, si universitet ri, por me potencial të madh, të shfrytëzohet nga të gjithë për të zhvilluar edhe më tej institucionin.
Në këtë ceremoni, u nda edhe titulli “Honoris Causa” për akademikun Muhamedin Kullashi, për të cilin ministrja Nagavci u shpreh se ky titull është shenjë e respektit dhe mirënjohjes për personalitetin që ka bërë ndryshime në shoqërinë tonë.
Last modified: 15 Nëntor, 2022