Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, zv/ministri Taulant Kelemendi, zv/ministri Arsim Ademi dhe shefi i stafit, Muhedin Nushi kanë mbajtur sot konferencën e fundvitit, ku prezantuan punën një vjeçare të Ministrisë.
Gjatë konferencës së fundvitit, ministrja Nagavci përmblodhi arritjet kryesore të Ministrisë së Arsimit, Skencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ku theksoi përmirësimet e mëdha në infrastrukturën arsimore, rritjen e përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm dhe avancimin e shërbimeve edukative. Gjatë kësaj konference u theksua se janë investuar mbi 37 milion euro për ndërtimin e 65 çerdheve, që përbën 96% të totalit të investimeve.
Ministrja Nagavci përmendi fillimin e vitit me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, për Programin e Bursave Stipendium Hungaricum, për vitet 2024–2026. Gjithashtu, pilotimin e Kurrikulës për Edukimin në fëmijërinë e hershme në 13 institucione parashkollore dhe 17 klasë parafillore në 10 komuna si në Prishtinë, Fushë Kosovë, Ferizaj, Gjakovë, Prizren, Suharekë, Gjilan, Kaçanik, Pejë dhe Vushtrri.
Nagavci theksoi arritjet në pjesëmarrjen e Kosovës në programin CEEPUS, program ky i cili ofron mbështetje të shkëmbimit akademik në drejtim të arsimit, punësimit të studentëve dhe trajnimit të stafit akademik gjatë shërbimit. Tutje përmendi nënshkrimin e përbashkët të Urdhër/Vendimit me ministrinë e Arsimit të Shqipërisë, për miratimin e teksteve mësimore për diasporën “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, po ashtu organizimin e Seminarit XVII Mbarëkombëtar me Mësuesit e Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë, si dhe nënshkrimin e marrëveshjes për organizimin e Olimpiadës së Gjuhës Shqipe për shkollat e mesme.
Ndër të tjera, ndarjen e bursave për studentët e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Fakultetin e Filologjisë në UP ku këtë vit akademik përfituan gjithsej 113 studentë të regjistruar në vitin e parë në këto dy programe.
Duke folur për përkrahjen e jashtëzakonshme për studentët ajo tha se gjatë këtyre 4 viteve shuma e përkrahjes arrin në mbi 15 milion euro. Ministrja përmendi edhe programin e Kuponëve të lansuar së fundi bashkë me kryeministrin Kurti e që ofron mundësi më shumë për fëmijët e familjeve me asistencë sociale që të bëhen pjesë e dukimit të hershëm.
Duke folur për rëndësinë e asistentëve për fëmijë me nevoja të veçanta arsimore, ministrja Nagavci ka thënë se, si ministri i kanë buxhetuar pagat për punësimin e 500 asistentëve, si dhe u është ofruar mundësia për kualifikim atyre që kanë interes për t’u punësuar si asistentë. Po ashtu vuri në dukje se ky është viti i tretë i zbatimit të arsimit dual, ku 25 shkolla po e zbatojnë këtë sistem me 12 profile në 15 komuna.
Ministrja Nagavci përmendi rishikimin përmbajtjesor të teksteve shkollore për lëndën e Gjuhës shqipe dhe matematikës, organizimin e konferencës STEMinists, për të dytën herë radhazi, lansimin e projektit e-Tëining, në bashkëpunim me Zyrën e BE-së, projektin me Erasmus+, që edhe këtë vit ka vazhduar suksesshëm, lansimin e platformës së aplikimit online për licencimin e mësimdhënësve, organizimin e Simpoziumit të Parë Shkencor të Teknologjisë Mjekësore.
Ndërsa zv/ministri i Arsimit, Taulant Kelmendi theksoi rëndësinë e digjitalizimit në sektorin e arsimit. Ai përmendi se shumë procese, si aplikimi për bursa, e-matura dhe aplikimi i proceseve për licensën e avancuar, tani kanë dimensione dhe module të veçanta për digjitalizim dhe se kjo nismë synon të përmirësojë efikasitetin dhe qasjen në arsim për të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit.
Last modified: 30 Dhjetor, 2024